Aktualitet

Vrasje në Fier, viktima një 67-vjeçar!

Një 67-vjeçar u gjet sot i vrarë në fshatin Mbrostar Ura të Fierit. Rreth orës 06:40 minuta të mëngjesit, trupi i pajetë i viktimës, i identifikuar si shtetasi Petraq Gjika u zbulua nga banorët e zonës, të cilët njoftuan policinë.

Paraprakisht, mësohet se Gjika është goditur disa herë me thikë, në afërsi të serave ku punonte si roje gjatë natës. Mjedisi është i pajisur me kamera sigurie e nga kqyrja e pamjeve të tyre synohet të hidhet më shumë dritë mbi atë që ka ndodhur. Po ashtu bëhet e ditur se viktima ishte vëllai i kryeplakut të fshatit Grecalli, Vasil Gjika.

Për momentin nuk ka shumë detaje lidhur me krimin dhe grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave e identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve.