Aktualitet

Vrasje në Vlorë, ekzekutohet një 40-vjeçar!

Vlora u trondit sot nga një atentat me armë zjarri, me një të vrarë. Një 40-vjeçar i identifikuar si shtetasi Bledar Birçaj u ekzekutua me breshëri kallashnikovi në vendin e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”.

Viktima po lëvizte me automjetin e tij tip “BMW” në momentin kur u qëllua dhe më pas u dërgua në Spitalin e Vlorës ku ndërroi jetë duke mos i mbijetuar plagëve të marra. Paraprakisht mësohet se nga disa persona, në drejtim të makinës së Birçajt u qëllua mbi 10 herë. Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja dhe një nga pistat ku po hetohet janë konfliktet që mund të ketë pasur në këtë vend. Emri i tij nuk është i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e “Arrestit me burg” me afat 45 ditë.

Policia raporton se grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë  ndodhet nē vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit për të cilin ende nuk ka shumë detaje. 40-vjeçari rezultonte pronar i një bar-kafeje në qytetin bregdetar jugor.