Në vijim të operacioneve policore me partnerët për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Italia në Shqipëri u ekstradua shtetasi Agron Tufa, 52 vjeç, banues në Nikël. Sipas njoftimit zyrtar, Tufa u arrestua në Bari në janar të këtij viti, gjatë operacionit policor të koduar “Informacioni”, i finalizuar si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe asaj italiane.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar me 30 vjet burg për vrasje me dashje, të kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje. Në bashkëpunim me shtetasin H.R., shtetasi Agron Tufa ka vrarë me armë zjarri, në Nikël, Krujë, shtetasin K.H e më pas e kanë djegur trupin e tij.
Krimi i tmerrshëm që tronditi zonën ndodhi në korrik të vitit 2018 dhe i mori jetën Kejsi Hysës, i cili u qëllua me një plumb të vetëm pushke në kokë e më pas u gropos pranë parcelës me kanabis. Shkak u bë humbja e një sasie prej 50 kg kanabis. Kejsi Hysa, i cili njihej dhe me emrat (Elion Hysa e Piku Hysa) ku më i spikaturi është “Piku Fajdexhiu”, kërkohej nga Policia e Sarandës për vrasjen e Edmond Theodhorit. Ai jetonte në Krujë ku jepte para me fajde e kultivonte lëndë narkotike, kanabis sativa.
Madje, ndihmohej nga shtetasi Hysni Rama për të ruajtur lëndën narkotike kundrejt pagesave nga 100 deri në 200 euro. Por, pati një moment kur krisja midis dy miqve ishte pa kthim nga humbja e 50 kg kanabis.
Hysni Rama pretendoi se droga ishte vjedhur e në këmbim, Hysa i kërkonte 15 mijë euro. Për këtë arsye, lanë takim për t’u sqaruar e sipas prokurorisë, janë përfshirë në debate të ashpra për shkak se i kishte sjellë vetëm 1 milion lekë të vjetra.
Në përleshje, Hysa i vuri pistoletën në kokë dhe e çoi deri te parcela ku shkoi Agron Tufa dhe e qëlloi në kokë. Aty bien dakord për ta groposur viktimën e më pas u larguan për të luajtur bilardo duke lënë makinën e Hysës në vendngjarje. Më vonë, në banesën e Ramës ndajnë eurot e vjedhura të “Piku Fajdexhiut”.
Pas vrasjes, vëllai i të ndjerit, detyroi Hysni Ramën të hipte në makinën e tyre e të tregonte të vërtetën. Në këtë moment, Agron Tufa telefon policinë dhe Rama u lirua. Më tej u zbardh e gjithë ngjarja, prapa së cilës qëndronin pazaret e drogës.