Aktualitet

Vritet me armë zjarri ish kreu i LSI-së Elbasan, autori efektiv i RENEA-s

Vritet me armë zjarri ish kreu i LSI-së në Elbasan, që aktualisht ishte konvertuar në simpatizant i Partisë Socialiste. Pjerin Xhuvani u ekzekutua në lagjen 5 maji të qytetit. Nga të shtënat dyshohet edhe për 3 persona të plagosur njëri prej tyre efektiv policie dhe tjetri dhëndri i viktimës.

Sipas informacioneve të para të plagosurit ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën

Dyshohet se autor është një efektiv i forcave RENEA, Arbër Papleka, i cili është arrestuar.

Burime për Top Channel bëjnë me dije se personi që qëlloi, Papleka, është një nga shoqëruesit e demokratit Gazmend Bardhi, i cili është konfliktuar me policët dhe ka qëlluar në turmë.

Autori i dyshuar i vrasjes, Arber Papleka me armën e krimit në dorë.

Informacionet paraprake thonë se ngjarja ka ndodhur pranë zyrave të PD në Elbasan, ku i pranishëm ka qenë edhe kreu i fushatës për Elbasanin, Gazmend Bardhi. Ndërkohë që sipas PD-së, një mjet kishte nisur të qarkullonte në zonë dhe ofronte para në këmbim të votave. Ky dyshohet të ketë qenë edhe shkaku i ekzekutimit të tij.

Viktima Pjerin Xhuvani ka qenë i përfshirë në incidentin e ditës së verës në Elbasan ku u përplasën simpatizantë të PD-së me PS-së. Më herët emri i tij është përfolur si i përfshirë në laboratorin e drogës në Xibrak. Pjerin Xhuvani ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet e 2013.

Drejt Elbasanit janë nisur forcat RENEA, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu dhe Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale.

 

Lajm në përditësim…