Rajoni

Vuçiç: Gati të firmosim marrëveshje me Prishtinën për të zhdukurit në luftë!

Presidenti Aleksander Vuçiç, tha se Serbia është e gatshme të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën për personat e zhdukur në luftë. Pas vendosjes së kurorave me lule në Monumentin e Heronjve të Koshares, në Beograd, deklaroi:

Ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë marrëveshje për personat e pagjetur. Jemi të vetëdijshëm se duhet të jetojmë pranë njëri-tjetrit.

Ekipet nga Kosova dhe Serbia janë takuar disa herë për të diskutuar çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-99. Kjo çështje është ngritur edhe në kuadër të dialogut në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Në fund të prillit, një diplomat i lartë i BE-së deklaroi se “Kosova dhe Serbia janë shumë afër nënshkrimit të dy marrëveshjeve për personat e zhdukur”, por zyrtarisht, deri tani nuk është arritur.

Më herët, kryeministri Albin Kurti kërkoi që Velko Odalloviç, të shkarkohet nga pozita e kreut të Komisionit Serb për Personat e Zhdukur, pasi është anëtar i Partisë Socialiste të Serbisë. Në vitet 1990, ky subjekt drejtohej nga Sllobodan Millosheviç.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13 mijë njerëz, u zhvendosën mbi 800 mijë, ndërsa u zhdukën rreth 6 mijë. Ende sot vijon kërkimi për mbi 1 mijë e 600 prej tyre. Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Vuçiç komentoi edhe deklaratën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, se “dialogu duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës”.

Ne kemi detyrë të negociojmë. Sa i përket cënimit të shtetësisë dhe integritetit territorial, ne e respektojmë të drejtën publike ndërkombëtare, në të cilën bazohet e gjithë bota. Vetëm përsërisim atë që Perëndimi thotë kur bën thirrje për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës. Pres kritika të ashpra ndaj Serbisë për Kosovën dhe për mosvendosjen e masave kufizuese kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

I pyetur nga gazetarët nëse kritikat që vijnë nga Bashkimi Europian janë të rrezikshme, Vuçiç deklaroi se “ato nuk janë naive”.