Rajoni

Vuçiç i vetmuar prapa në karrige, krerët e Ballkanit të gjithë bashkë në Davos!

Ka qarkulluar me shpejtësi në rrjet një foto e shkrepur nga Forumi Botëror i Ekonomisë në Davos të Zvicrës, ku presidenti serb Aleksandar Vuçiç, shihet i vetmuar në panelin për Ballkanin Perëndimor.

Të gjithë liderët e tjerë të rajonit janë të ulur bashkë në pranel, vetëm Vuçiçi është i ulur veçant një rresht prapa.

Nuk dihet deri tani nëse ka qenë dëshira e tij të ndahet nga të tjerët.

Fotoja tregon edhe të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak, kryeministrin kroat Andrej Pllenkoviq, kryeministrin shqiptar, Edi Rama e presidentin maqedonas Stevo Pendarovski.

Pjesëmarrësit në panel diskutuan sfidat me të cilat po përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, nevojën për ruajtjen e stabilitetit si dhe krijimin e kushteve për arritjen e rritjes ekonomike.

Kjo nuk është megjithatë hera e parë që Vuçiç fotografohet në situata të tilla, pasi në samite të tjera është fiksuar nga kamerat teksa qëndron i shkëputur nga të tjerët.

Në forumin e Davosit, Lajçak u takua veçant me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Vuçiçin. Në të dy rastet, ai shpjegoi se ishin diskutuar hapat e ardhshëm për normalizimin e marrëdhënieve si dhe situata në rajon.