Rajoni

Vuçiç në OKB, pyet për dallimin mes tërësive tokësore të Ukrainës e Serbisë!

“Serbia mbështet tërësinë tokësore të Ukrainës”. Qëndrimin e theksoi presidenti Aleksander Vuçiç, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, pasi më parë foli presidenti ukrainas Zelensky. Presidenti serb tha se “konflikti në Ukrainë nuk është i pari pas Luftës së Dytë Botërore në truallin e Europës”. Më tej, kritikoi vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për të cilat tha se “shkelën tërësinë tokësore të Serbisë”.

Ne kërkojmë një përgjigje të qartë në pyetjen që unë ua bëj prej vitesh bashkëbiseduesve të mi, udhëheqësve të shumë vendeve. Cili është ndryshimi midis sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Ukrainës dhe sovranitetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë që është shkelur rëndë dhe që shumë prej jush i jepni njohje e legjitimitet ndërkombëtar? Unë kurrë nuk kam marrë një përgjigje racionale nga askush.

Ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve të Kosovës nga Serbia, Vuçiç e quajti “agresion”. Presidenti serb tha se vendi i tij “me durim dhe vullnet të mirë është vënë në kërkim të një kompromisi për Kosovën”, në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

Eshtë një proces i vështirë, ka më shumë se dhjetë vjet që po vazhdon, por nuk shohim alternativë. Eshtë më mirë të negociojmë 100 vjet sesa të luftojmë një ditë. Jam i bindur se do të arrijmë një zgjidhje reciprokisht të pranueshme, e bazuar në kompromis, sepse kjo është absolutisht e vetmja mënyrë për të arritur qëllimin tonë, që është vendosja e paqes afatgjatë, si parakusht për një jetë të begatë për serbët dhe shqiptarët në rajonin tonë. Ne tashmë i kemi shteruar të gjitha mundësitë tjera dhe të paktën për sa i përket Serbisë, nuk ëndërrojmë të kthehemi në shtigjet e konfliktit dhe gjakderdhjes. Rajoni i Ballkanit nuk mund të përballojë një konflikt tjetër.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, por të dyja vendet synojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian e janë pajtuar që si pjesë e këtij procesi, të zgjidhin çështjet e pazgjidhura e të ndërtojnë marrëdhënie të mira fqinjësore.

Presidenti serb tha se “Beogradi po përballet me luftë hibride dhe fushata “të ndyra” që duan ta paraqesin Serbinë si kërcënim për qëndrueshmërinë rajonale si dhe për faktin që Serbia vlerëson se politika e sanksioneve kundër Federatës Ruse askujt nuk mund t’i sjellë rezultate”.

Serbia është i vetmi vend europian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Rusisë pas agresionit në Ukrainë. Presidenti serb shtoi se popujt e Ballkanit kanë kapacitet për të vazhduar bashkëjetesën si miq e partnerë që kanë vizion të përbashkët për anëtarësim në një Europë të bashkuar, duke përmendur si shembull faktin se “Serbia dhe Shqipëria, sot kanë marrëdhëniet më të afërta e më miqësore në historinë e tyre të përbashkët shekullore në Gadishullin Ballkanik”.