Rajoni

Vuçiç paralajmëron: Sërish tensione në veri të Kosovës

“Lajme katastrofike për njerëzit tanë, plan i ri i shqiptarëve në Kosovë e Metohi”, me këtë titull media serbe B92 përcjell përmes një artikulli të gjatë fjalën e presidentit Aleksandar Vuçiç, i cili duket sikur po kërkon të nxisë sërish tensione në veri.

Vuçiç ka dalë me pretendimin se disponon informacione që tregojnë se qeveria e Kosovës gjatë nëntorit do të ndërmarrë shumë shpejt aksione të tjera në veri.

Pas takimit me kryeparlamentarin Ivica Daçiç, presidenti serb është shprehur se në 6 nëntor, ekzkutivi kosovar mund të nisë aksionin për marrje nën kontroll të stacionit “Valaç” në afërsi të Zveçanit.

Sipas mediave serbe, përmes këtij stacioni shpërndahet 85 për qind e energjisë elektrike për veriun.

“Nuk jam i sigurt se kjo do të jetë gjë e mirë edhe për ta. Duhet t`i mendojnë mirë veprimet e tyre. Ne mund të ndërmarrim veprimet që na diktohen pa fajin tonë”, ka thënë Vuçiç, duke lënë të kuptohet se do të ketë sërish rezistencë të serbëve lokalë.

Aksioni i fundit i antikontrabandës në disa pjesë të Kosovës, përfshirë dhe rajone veriore, ngjalli menjëherë revoltën e komunitetit serb.