Rajoni

Serbia me shpatulla pas murit, Vuçiç: Na heqin vizat, ndërpresin proceset integruese nëse s’pranojmë normalizim marrëdhëniesh me Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se Serbia do të përballet me pasoja të rënda nëse nuk pajtohet me propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Ai tha në një konferencë më gazetarë në Beograd se kjo i është thënë të premten në takimin me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, të dërguarin amerikan Gabriel Escobar dhe të dërguarit e Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

“Në fjalinë e dytë më është thënë se duhet ta pranoni këtë plan”, tha ai duke theksuar se në rast të mospranimit Serbia do të përballet me: “ndërprerjen e proceseve integruese, ndërprerjen dhe tërheqjen e investimeve dhe me masat gjithëpërfshirëse politike dhe ekonomike që do ta dëmtojnë Serbinë”.

Ai tha se “de fakto” plani u shndërrua në kuadrin e ri të bisedimeve të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe nuk do të ketë asnjë përparim nëse nuk bashkëpunon për këtë, duke nënvizuar se propozimi tashmë është plan i të gjitha vendeve të bllokut, përfshirë edhe atyre që nuk e njohin Kosovën.

Duke i cilësuar bisedimet e së premtes si shumë të vështira ai tha se në rast të refuzimit, për pak ditë do të hiqej regjimi i udhëtimit pa viza dhe do të ndërpriteshin investimet.

Serbia tha ai duhet ta ketë të qartë se cila është fuqia e saj dhe ajo e vendeve që mbështesin propozimin. Presidenti serb kujtoi se edhe (Slobodan) “Millosheviçi kishte besuar se asnjë bombë e NATO-s nuk do të bjerë, sepse ata përreth i kishin thënë se kjo nuk do të ndodhte dhe iu deshën disa ditë për ta kuptuar se bombat po binin nëpër Serbi”, duke iu referuar fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi forcat serbe pasi Beogradi refuzoi një marrëveshje të mbështetur nga perëndimi në pranverën e vitit 1999.