Rajoni

Vuçiç priti sot përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç priti sot përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës për të diskutuar rreth çështjeve të energjetikës. Takimi vjen dy ditë pas daljes së Kosovës nga blloku rregullues SMM që përfshin Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Përfshirja e Prishtinës zyrtare në një bllok me Shqipërinë ishte parashikuar me një marrëveshje që në muajin qershor mes Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji. Nga e hëna, sistemi energjetik i Kosovës operon si i pavarur.

“Publiku do të informohet për të gjitha konkluzionet konkrete në 72 orët e ardhshme, pas konsultimeve shtesë me të gjithë përfaqësuesit e popullit serb në Kosovë si dhe me përfaqësuesit përkatës të bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Menjëherë pas fillimit të operimit të pavarur të sistemit energjetik të Kosovës, Serbia ka ndërprerë transmetimin e 500 megavatëve të energjisë elektrike që Kosova i ka importuar nga ky shtet.