Rajoni

Vuçiç shfryn inatin mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, paralajmëron Shaip Kamberin!!

Pas akuzave të opozitës për “tradhëti” me ndryshimin e kursit ndaj Kosovës dhe pranimin e planit franko-gjerman, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç kërkoi të tregonte se nuk është zbutur aspak me shqiptarët.

Në seancën e së premtes në parlament, Vuçiçi paralajmëroi deputetin shqiptar Shaip Kamberi, i cili është njëherazi kryetar i Partisë për Veprim Demokratik, që ‘të mos shohë ëndrra të rrezikshme dhe të mos mendojë për asnjë moment se shqiptarët e Luginës së Preshevës mund të bëjnë atë që bënë pas vitit 2000’, siç tha ai.

Kamberi u shpreh gjatë fjalës së tij se serbët e kanë të vështirë të pranojnë realitetin, ndërsa Vuçiçi kaloi në ofendime, duke e quajtur “Megafonin e Albin Kurtit”.

“Ajo që po thotë është politikë e Kurtit dhe jo e dikujt tjetër”, u shpreh presidenti serb që e përshkroi fjalimin e Kamberit si një përpjekje për të barazuar të drejtat e serbëve në Kosovë dhe ato të shqiptarëve në Serbi.

“Nuk ka krahasim sepse nuk janë dy vende, nuk kanë të njëjtin status juridik, nuk kanë të njëjtin pozicion në procesin e negocjatave, domethënë nuk ekzistojnë fare në procesin e negociatave”, u shpreh ai.

Një prej kushteve që Kurti paraqiti për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte që “të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive, si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet europiane”.