Rajoni

Vuçiç ultimatum NATO-s: Nëse preken serbët në veri, presim 24 orë dhe më pas do ndërhyjë shteti serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç,  ka reaguar pas kërkesës së sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg i cili në kuadër të situatës së krijuar në veri të Kosovës ka kërkuar vetëpërmbajtje dhe kthim në dialog.

Vuçiç në reagimin e tij i ka dhënë ultimatum NATO-s se nëse serbët e veriut të Kosovës prekën dhe nëse ajo nuk reagon brenda 24 orëve, atëherë do të ndërhyjë shteti serb.

I kam thënë Stoltenbergut, që nuk do të futemi në Kosovë nëse rrezikohet populli serb, para se të presim 24 orë për intervenim të NATO-s. Serbia nuk ka hyrë në territorin e Kosovës, jo sepse ne nuk e konsiderojmë si territor tonë, por sepse sipas Marrëveshjes së Kumanovës, ne nuk kemi të drejtë ta bëjmë këtë, është shprehur Vuçiç për mediat serbe.

Ndër të tjera ai ka thënë se Serbia ka rritur gatishmërinë e luftës, për shkak të forcave të Njësisë Speciale të Kosovës që po qëndrojnë në veri të Kosovës.

Automjetet me mitraloz qëndrojnë në vendkalimet tash e shtatë ditë dhe askush nuk emocionohet. Dhe pastaj ata emocionohen që një vend që është i njohur ndërkombëtarisht ka aeroplanë që fluturojnë në territorin e tij. Ata nuk janë të interesuar për vuajtjet serbe, ka thënë ndër të tjera ai.