Aktualitet

Wadephul: Shqipëria ende duhet të përmbushë kushtet e Bundestagut dhe BE-së

Dy javë para se BE-ja të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, nënkryetari i grupit parlamentar gjerman CDU/CSU, Johann David Wadephul  dyshon se çelja e negociatave të BE-së me Shqipërinë mund të fillojë në fund të dhjetorit. Për gazetarët në Berlin, Wadephul vuri në dukje se Shqipëria ende duhet të përmbushë kushtet e Bundestagut dhe BE-së. Ato kanë të bëjnë me funksionimin e Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë, si dhe Reformën Zgjedhore që të ishte gjithëpërfshirëse.

Ndërsa Kushtetuesja e Gjykata e Lartë ende nuk janë plotësuar, deputeti demokristian gjerman Wadephul u ndal te Reforma Zgjedhore. Ai tha se “vërtetë u arrit në një proces përfshirës, më 5 korrik dhe kaloi në Kuvend më 23 korrik, por një pjesë e rëndësishme e saj u shfuqizua në një proces përjashtues, konkretisht, duke futur sistemin e listave të hapura, në vend të koalicioneve zgjedhore”. Sipas Wadephul-it, “Kjo procedurë përjashtuese bie në kundërshtim me kërkesën e Bundestagut për një proces përfshirës, i cili u rekomandua dhe nga OSBE-ja”.