Tech

WhatsApp nuk do të funksionojë në disa modele të iPhone duke nisur nga viti 2025!

Rrjeti social WhatsApp po përditëson sistemin operativ dhe nuk do të funksionojë më në disa modele të vjetra të iPhone-it. Nga 24 shkurti i vitit 2025 kërkesa minimale për WhatsApp-in në pajisjet iPhone do të jetë instalimi i sistemit operativ iOS 14.1. Kjo do të thotë se në iPhone 6, iPhone 5s, iPhone 6 Plus dhe modelet më të vjetra nuk do të funksionojë WhatsAppi pasi nuk mund të përditësohen në versionin e kërkuar të sistemit operativ.

Si arsye kryesore për këtë vendim, rrjeti social që menaxhohet nga Meta përmend sigurinë e përdoruesve dhe thotë se sistemet e vjetra operative nuk i plotësojnë të gjitha standardet e nevojshme për funksionet e nevojshme. Për përdoruesit e Androidit, nuk ka kërkesa të reja të sistemit mjafton të keni Android 5.0 dhe mund të përdorni WhatsApp-in.

WhatsApp ka filluar të nxjerrë një përditësim për testuesit beta së bashku me një veçori të re të krijuar për t’i mbajtur përdoruesit të sigurt nga mesazhet e padëshiruara të dërguara nga llogari të panjohura. Një gjurmues i veçorive zbuloi një veçori të re që mbron automatikisht përdoruesit nga dërguesit e paidentifikuar, duke filtruar mesazhet në rrethana specifike. Bëhet e ditur se veçoria është tashmë e disponueshme për disa testues dhe duhet të aktivizohet manualisht.

Ajo përfundimisht do të bashkohet me dy veçori të tjera të sigurisë ‘të avancuara’ që synojnë mbrojtjen e privatësisë së përdoruesit gjatë përdorimit të aplikacionit të mesazheve. Pas përditësimit në WhatsApp beta për Android 2.24.20.16, përdoruesit do të kenë qasje në cilësimin e ri që bllokon mesazhet nga llogaritë e paidentifikuara. Përshkrimi i aplikacionit për veçorinë e re thotë se ai është krijuar për të mbrojtur llogarinë e një përdoruesi dhe për të përmirësuar performancën e pajisjes.