Aktualitet

Xhaçka: E kemi gati planin kombëtar për integrimin, të vetëdijshëm që procesi zgjat!

Ministrja e Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka në takimin mbi shqyrtimin analitik të legjislacionit Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe BE theksoi se është bërë një punë shumë e madhe deri në arritjen e çeljes së negociatave.

Në fjalën e saj, ministrja shpreh se anëtarësimi në BE është një nga objektivat strategjikë për të cilin Shqipëria ka punuar shumë ndër vite.

“E dimë se na pret një proces shumë kërkues dhe sfidues. Ne jemi gati. Vendosmëria jonë është e palëkundur. Jemi të vetëdijshëm se mbetet shumë për të bërë. Por hapja formale e negociatave rikthen besueshmërisë në procesin e integrimit në BE”, tha ajo.

Kryediplomatja Xhaçka theksoi se deri më tani me Komisionin është zhvilluar një proces i gjatë takimesh shpjeguese.

“Prezantimet e takimeve shpjeguese, kanë qenë udhërrëfyesi ynë: 1- Së pari, për planin tonë të transpozimit – Planin Kombëtar për Integrimin Evropian; 2- Së dyti, për përgatitjet tona për shqyrtimin analitik dypalësh; 3- Së treti, për përpjekjet tona për të forcuar kapacitetet administrative, duke synuar të kemi të gjitha strukturat për zhvillimin e negociatave tona të anëtarësimit”, deklaroi ministrja Xhaçka.

Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE që u mbajt në Bruksel i hap rrugën vendit tonë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama, ishin edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, Kryenegociatori Zef Mazi, si dhe përfaqësues nga institucionet shtetërore të përfshirë në këtë proces.

Kryenegociatori Mazi tha se premtimet e pambajtura tashmë i përkasin së kaluarës:

Duhet të kemi një përqasje strategjike, mbase këtyre rrethanave që jo çdokush e ka tortën dhe mund ta hajë vetë me BE-në, nga sot e tutje për ne çfarë ne kemi thënë, premtimet e pa mbajtura tashmë i përkasin së kaluarës. Siç ka thënë një nga figurat më të mëdha, arkitektura evropiane mund të ndërtohet më mirë tullë pas tulle, ajo që po bën sot është që po hedh tullën e themelit që do të jetë një maratonë e gjatë anëtarësimi. Vetë qeveritë tona do të përfitojnë nga ky zgjerim, BE do të bëhet një influencë më e madhe. Në 30 vitet e fundit Shqipëria ka treguar një rritje drejt procesit të integrimit. Kjo na ka shërbyer si shtylla kurrizore. Këto negociata ose këto bisedime do të zgjaten paksa besoj dhe kjo do të mbështetet në mënyrën më të mirë të koordinimit që të jemi në gjendje të dorëzojmë një punë të mirë në shtator. Skuadra jonë ka 30 negociatorë, kjo do të zbatohet duke respektuar të gjitha shtresat e shoqërisë.

E di që prezantimi i progresit tonë prek menjëherë raportin e shqyrtimit. Shumë vëmendje do t’i jepet kësaj çështjeje. Përpjekjet për zgjerim janë vonuar tre vite, nuk ka qenë e lehtë, por jemi të lumtur për vendin tonë. Në përfundim më lejoni të ritheksoj vlerësimin tim të thellë për gjithë Komisionin Evropian. Nuk përmend dot emra se mund të harroj dikë por të gjithë e meritoni, keni qenë mbështetje e palëkundur për vendin tim. Besoj se ne do të kemi bashkëpunim të frytshëm, Shqipëria dhe ne jemi të gatshëm për të bashkëpunuar”, tha Mazi.