A Live Night Celebrities Music Showbiz

Xhensila Myrtezaj flet për fëmijërinë e saj në “A Live Night”!

E ftuar në episodin e sotëm të “A Live Night” ishte Xhensila Myrtezaj, në një rrëfim të jashtëzakonshëm të saj. Shumë e sinqertë dhe pa filtra, Xhensila rrëfeu për jetën e saj profesionale, nga hapat e parë në muzikë, deri të vështirësitë dhe sakrificat e shumta, teksa na tregoi edhe më tepër për jetën personale, dashurinë e saj për Besin, dhe njeriun më të shtrenjtë, pikërisht Ajkën.

Në një episod ku veç intervistës së artistes, Xhensila solli edhe disa interpretime të mrekullueshme të këngëve të saj, ku nuk munguan as sekrete të vogla lidhur me ato projekte muzikore. Ndërkohë, ajo u shpreh edhe për fëmijërinë e saj, teksa na tregoi më tepër për raportin e ngushtë me nënën dhe motrën e saj.

Në fakt fëmijëria ime ka qenë paksa e pazakontë. Duke qenë se prindërit më janë divorcuar në një moshë relativisht të vogël timen. Ka qenë një periudhë sfiduese, edhe pse fëmijë, kuptova se çfarë ishte jeta, ndoshta shumë më shpejt se bashkëmoshatarët e mi… Kuptova që mes sakrificës, mes dhimbjes, ti kupton vërtet se çfarë është jeta dhe se çfarë ty të duhet në jetë – familja, që është shumë e rëndësishme që unë e kam shumë të shenjtë dhe sot e kësaj dite është objektivi më i rëndësishëm i jetës sime.

Nëse do i përulesha një njeriu në jetë ajo është vetë nëna ime. Sakrificat e nënës sime kanë qenë të jashtëzakonshme. Jam e sigurt, tani që jam vetë nënë, është instikti ai që të bën luftarake, më shumë protektive, për fëmijën, për krijesën që ti ke sjellë në jetë. Për mamanë time ka qenë shumë e vështirë. Ajo e ka kamufluar gjithmonë dhimbjen, gjithmonë vështirësitë në mënyrën më të mirë. Tani e kuptoj shumë herë më shumë seç e kam pasur kuptuar më parë, duke qenë se jam nënë, edhe kam edhe përkrahjen e bashkëshortit, Besit, në çdo kohë, edhe prap është e vështirë mëmësia. E merre me mend si është për një grua të vetme që t’i sigurojë ushqimin, t’i sigurojë shkollimin, t’i sigurojë edukimit vajzave të saj. Gratë janë më të forta se gjithçka na rrethon.

Marrëdhënia ime me Albën sa ka ardhur dhe është forcuar e më shumë. Unë Albën nuk e kam thjesht motër. Ajo është më çapkëne se unë. Më e fortë se unë. Unë jam natyrë më e brishtë. Ajo është ‘djali i shtëpisë’. Për mua është motër, është vëlla. Është kudo me mua, në koncerte me mua, pranë Ajkës, pranë sipërmarrjeve të mia. Alba është ajo që ‘m’i mbron shpatullat’ gjithmonë. Nuk ka dhuratë më të madhe se ajo që më ka bërë mami që më ka sjellë motrën në jetë, edhe një nga ëndrrat e mia është që në të ardhme edhe Ajka të ketë një motër.