Bota Fashion

“Xhindosen” blogeret ruse, e kapin me Chanel-in dhe grisin çantat luksoze!

Në rrjetet sociale vazhdon protesta e blogereve ruse kundër Chanel-it, lidhur me vendimin e shtëpisë së modës franceze për t’i ndërprerë shitjen e produkteve të saj klientëve rusë jashtë vendit dhe që synojnë t’i dërgojnë në Rusi.

Në kundërpërgjigje të pushtimit rus të Ukrainës, Chanel vendosi të mbyllë dyqanet në Rusi dhe tani, ruset e famshme të rrjeteve sociale kanë vendosur të zgjerojnë protestën ndaj vendimit, duke kaluar nga fjalët te veprat.

Ato postuan foto e video të momenteve kur me gërshërë e thika në duar dëmtojnë duke i ndarë në dy pjesë çantat e çfarë çantash…që kushtojnë mijëra euro. Duke akuzuar firmën e njohur për “rusofobi”, nuk iu ikën e keqja dhe madje ftojnë koleget të veprojnë në të njëjtën mënyrë.

Aktorja e prezantuesja televizive, Maryna Yermoshkina ishte e para, e cila dha shembullin personal të veprimit, e shqetësuar se Chanel “poshtëron rusët e diskriminon rusët mbi bazën e kombësisë”.

Asnjë artikull apo markë e vetme mund të krahasohet me dashurinë time për atdheun dhe respektin për veten! Jam kundër rusofobisë e markave që mbështesin rusofobinë. Nëse të kesh Chanel nënkupton të shes atdheun tim, atëherë nuk kam nevojë për Chanel!

E bindur se po jep shembullin e duhur, Yermoshkina iu bëri thirrje blogereve të tjera, të bëjnë të njëjtën gjë dhe mes atyre që u bindën janë dj Katya Guseva e modelja Victoria Bonya. Kjo e fundit u shpreh:

Nëse Chanel nuk respekton klientët që ka, përse na duhet ta respektojmë? Ciao ciao!

Por, Chanel e ka marrë tashmë vendimin, në të njëjtën linjë me sanksionet e Bashkimit Europian, në kohën kur me Shtetet e Bashkuara, Britaninë e aleatët i ka përqëndruar përpjekjet në izolimin e Moskës dhe shtimin e presionit ndaj Kremlinit që t’i japë fund kësaj lufte. Në ditët e fundit është shënuar nga horrore si të Buçës, qytet ku qindra trupa të pajetë civilësh u gjetën të torturuar në rrugë, pas largimit të forcave ruse. Rusia hedh poshtë akuzat duke i cilësuar “inskenim të Perëndimit”.