Sport

Xhudistet e Kosovës, vlerësohen me dekoratën “Nderi i Kombit” në Shqipëri!

Me një ceremoni solemne, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” dy xhudistet kampione nga Kosova, D’Istria Krasniqi e Nora Gjakova, si dhe trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka. Ato fituan “Medaljes të Artë” në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

Kreu i Shtetit çmoi sportisten Krasniqi, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos, duke treguar aftësi profesionale dhe talent të padiskutueshëm. Me mirënjohje për pasionin dhe përkushtimin e saj duke dëshmuar cilësi të rralla si sportiste e nivelit botëror, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.

Për Nora Gjakovën, dekorata u akordua me motivacion: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e shkëlqyera si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020, në sportin e Xhudos. Me mirënjohje ndaj talentit dhe personalitetit të saj, që e shndërroi në një shembull frymëzimi për sportistet e reja, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.

Po ashtu, Presidenti Meta vlerësoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” trajnerin e tyre, Driton (Toni) Kuka, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për talentin dhe personalitetin e gjithanshëm të treguar në sport, me arritjen e rezultateve të larta në sportin e Xhudos, duke fituar me sportistet e tij medaljet e arta në Lojërat Olimpike Verore të Rios 2016 dhe Lojërat Olimpike Verore të Tokios 2020. Me mirënjohje për punën dhe kontributin e tij në sportin e xhudos, që është kthyer në shembull frymëzimi për të rinjtë e të rejat, duke ngritur lart krenarinë kombëtare”.

Presidenti Meta:

Tani, kur kemi dy të ‘arta’ nga Tokio, sigurisht që nuk kemi të bëjmë thjesht me një ngjarje dhe me një  talent të jashtëzakonshëm, siç ishte dhe është Majlinda Kelmendi, por kemi të bëjmë me një projekt të jashtëzakonshëm, me një vazhdimësi dhe një strategji, me një punë tepër profesionale, por edhe shkencore.

Dëshiroj të shpreh falënderimin më të përzemërt për D’Istria Krasniqin, Nora Gjakovën e Driton Kukën, tre personalitete dhe kampionë të jashtëzakonshëm, të cilët sot kam privilegjin t’i vlerësoj me Dekoratën e Lartë “Nderi i Kombit”, për arritjet e tyre madhështore në sportin e xhudos, për këtë diplomaci të jashtëzakonshme sportive që ju keni bërë, ashtu sikurse ishte dhe aderimi dhe prezantimi me sukses i Kosovës në UEFA e në FIFA.