Aktualitet

Yuri Kim: Në Shqipëri do të jem edhe për ca më gjatë/Bëni drejtësi, jo hakmarrje!

Yuri Kim flet për mandatin si ambasadore e Uashingtonit në vendin tonë e bëri të ditur se do të jetë këtu edhe ca më gjatë. Kim mori pjesë në konferencën “Drejt ekselencës gjyqësore”, Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Çelësi është të mbeteni të angazhuar ndaj synimit, në mënyrë të sinqertë, serioze. Ta dini se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ndalojnë, as ju nuk duhet! Partnerët europianë duan që të keni sukses, po aq sa ç’duan partnerët amerikanë, që ju mund t’ja dilni mbanë!
Unë kam tre vite në Shqipëri e do të jem këtu edhe për ca më gjatë. Në tre vitet e mia mësova se ka një sfidë të madhe këtu. Kjo nuk ndodh sepse në mënyrë unikale Shqipëria është e keqe, e korruptuar… Jo, kjo është vërtetë marrëzi! Por, ka histori këtu dhe duhet të ndjejmë empati e respekt për historinë nëpër të cilën ka kaluar ky vend, për përvojën e popullit shqiptar e gjithashtu, sfidat me të cilat përballet. Ky është një vend i vogël, të gjithë njohin gjithë të tjerët.

Vendimet për drejtësinë, na ndikojnë të gjithëve në mënyra që ndoshta nuk do të donim t’i pranonim, vendime për atë se kush do të jetë në këtë pozicion të caktuar se kush do të jetë kreu i këtij institucioni apo i atij tjetri. Të gjitha janë të lidhura në një formë a tjetër. Por, ka ardhur koha për të thënë që Shqipëria është gati për fazën tjetër, që ne nuk mund të vazhdojmë kështu më!

Ndër të tjera, Kim vuri në dukje se investimet amerikane në Shqipëri, kurrë nuk kanë qenë më të larta. Sipas ambasadores, “duhet të ketë më shumë, por duhet të ketë drejtësi!”.

Kur sipërmarrësit të vijnë e të blejnë prona këtu, duhet që letra e pronës të ketë vlerë e kur t’i drejtohen gjykatës të merret një vendim sipas ligjit e jo në favor të atij që ka paguar më shumë apo që ka bërë kërcënimin më frikësues.

Ndërsa u ndal te zbatimi i Reformës në Drejtësi, dha mesazhin: “jo hakmarrje, por drejtësi!”.

Ka kaluar mjaft kohë. Duhet të ofrojmë drejtësi për njerëzit. Duhet të gjejmë një mënyrë. E di që populli shqiptar sikurse SHBA-të dhe populli amerikan presin me padurim gjykata të plotësuara me gjyqtarë që janë të trajnuar, të paanshëm, që janë të aftë e të gatshëm, që të mund të japin drejtësi. Jo hakmarrje, por drejtësi. Që të dinë se kur të vijnë në gjykatë do të jenë të barabartë përpara ligjit e do të marrin drejtësi në kohë!