Aktualitet Politikë

Yuri Kim thirrje Ramës e Bashës të rikontrollojnë listat për njerëzit që do të fusin në Kuvend!

Në një deklaratë, ambasadorja amerikane Yuri Kim i rikujton politikës rëndësinë që njerëzit të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e ri.

Presim me kënaqësi ta shohim Parlamentin të rikthehet me pjesëmarrje të plotë në mënyrë që shqiptarët nga i gjithë spektri politik të jenë të përfaqësuar.

Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë.

Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre. Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë.

Diplomatja e Shteteve të Bashkuara e vë theksin te lufta anti-korrupsion.

Për një kohë tepër të gjatë, korrupsioni është përdorur si armë nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë për të blerë politikanë, për të fituar kontrata, dhe për të ndërhyrë në proceset demokratike. Presidenti Biden dhe Sekretari Blinken e kanë bërë të qartë përmes fjalëve dhe veprimeve të tyre se lufta kundër korrupsionit është një përparësi kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Duam një aleat që është i fortë, i aftë dhe i begatë. Duam një partner, jo një problem.

Kujtojmë se rreth një javë më parë, Yuri Kim u tregua e prerë kur shkoi në selinë blu dhe i kërkoi kryedemokratit Basha që Sali Berisha të mos jetë në Kuvend në shtator. Ambasadorja nënvizoi përgjegjësinë që ndërsa drejtuesit e partive do të futen në Kuvend, të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë besimin e Shqipërisë. Sipas saj “Do ishte ironi historike dhe po aq tragjike nëse partia do duhej të hante bar për hir të një deputeti të saj”.