Bota

“Zapad 2021”, stërvitja ushtarake ruse që po alarmon NATO-n e SHBA-në!

Prej së enjtes, Rusia dhe Bjellorusia janë duke zhvilluar një stërvitje të madhe ushtarake, ku po marrin pjesë më shumë se 200 mijë ushtarë nga të dy vendet.

Ndërkohë, Daily Mail, teksa citon Ministrinë ruse të Mbrojtjes, raporton se veç armatimeve të rënda, qindra tankeve, avionëve e anijeve, në këtë stërvitje, Rusia është duke përdorur edhe robotë dhe automjete të një teknologjie të re.

Stërvitja ushtarake e quajtur “Zapad-2021” pritet të zgjasë deri të enjten e ardhshme.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi pamjet e anijeve luftarake dhe tankeve që hapnin zjarr dhe avionëve luftarakë duke u ngritur në ajër. Ajo tha se trupat kishin praktikuar zmbrapsjen e një sulmi ajror. Po ashtu janë testuar sistemet e mbrojtjes ajrore S-400.

Mathieu Boulegue, një studiues në grupin britanik Chatham House, tha se tre ditët e para të stërvitjes, “të fazës së nxehtë”, pritet të përqëndrohen në mbrojtjen kundër një sulmi nga Perëndimi.

Fqinjët si Ukraina dhe anëtarët e NATO -s Polonia dhe Lituania thonë se stërvitjet kaq të mëdha dhe kaq afër kufirit rrezikojnë të jenë provokuese. Presidenti Vladimir Putin mohon se stërvitjet janë drejtuar kundër çdo fuqie të huaj dhe thotë se ato janë të ndjeshme duke pasur parasysh rritjen e aktivitetit të NATO -s pranë kufijve të Rusisë dhe atyre të aleatëve të saj.

Manovrat mbahen çdo katër vjet, por stërvitja e këtij viti është parë si një sinjal i veçantë i mbështetjes së Rusisë për Bjellorusinë dhe udhëheqësin e saj Aleksandër Lukashenko, i cili është izoluar nga Perëndimi për goditjen ndaj zërave kritikë brenda vendit.