Aktualitet

Zbardhet vendimi i Kushtetueses/Rrëzoi Bordin e Transparencës se lufta ruse në Ukrainë nuk është argument ligjor!

Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin lidhur me Bordin e Transparencës për Ushqimet. Gjyqtarët vlerësuan se “Akti Normativ i qeverisë nuk plotëson kushtet e urgjencës dhe për këtë shkak e shfuqizuan”. Sipas Kushtetueses, “lufta Rusi-Ukrainë nuk është një argument ligjor që justifikon Bordin”.

Në vendimin e zbardhur pak ditë pasi rrëzuan Aktin Normativ të qeverisë, gjyqtarët kushtetues thonë se “nuk e mohojnë ndikimin e kësaj lufte”, për të cilën sipas tyre “një sërë vendesh kanë marrë masa konkrete për ndikimet në tregun e brendshëm”. Gjyqtarët përmendin disa shtete, qofshin ato të rajonit si Maqedonia e Veriut apo të tjera vende si Lituania e Holanda. Gjykata Kushtetuese thotë:

Por, ndryshe nga këto shtete, Shqipëria dhe qeveria nuk dorëzuan një analizë të detajuar mbi ndikimin e tregut vendas nga kjo luftë e nga ana tjetër, se çfarë impakti kishte. Thuhet se në komisionet përkatëse ku u diskutua për Bordin e Transparencës që do të monitoronte çmimet e shportës ushqimore, nuk u dorëzua një analizim i detajuar në Komisionin e Ekonomisë.

Në vendim, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, vihet në dukje se kjo duhej të ishte dorëzuar në një shkresë. Kjo urgjencë mungon, por nga ana tjetër, Gjykata Kushtetuese vlerëson se edhe ato të dhëna që janë diskutuar, nuk janë të mjaftueshme për të kuptuar ndikimin e gjendjes së krijuar në tregun kombëtar, si rrjedhojë e situatës në atë ndërkombëtar.

Shumica e gjyqtarëve kanë votuar pro shfuqizimit të aktit, ndërsa tre të tjerë kanë dhënë detaje shteruese, duke konsideruar se “lufta Rusi-Ukrainë ishte një urgjencë” dhe se “shteti shqiptar gjendej në kushtet e nevojës për të kontrolluar çmimet e ndikimet e tyre te shtetasit shqiptarë. Kjo për t’i mbrojtur si konsumatorë sa i takon çmimeve për shportën”.

Lufta ruse në Ukrainë që ndikoi në rritjen e çmimeve në mbarë botën vijon prej 24 shkurtit të vitit të kaluar dhe nisi me urdhër të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në emër të atij që e quan “operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës”. /Top Channel