Aktualitet Politikë

Zbardhja e ngjarjeve të 21 janarit 2011 me 4 të vrarë, PS me prova të reja e tjetër padi në SPAK!

Nga selia rozë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri konfirmoi se sot do të bëhet një tjetër kallëzim penal ndaj Sali Berishës, Lulzim Bashës dhe Ndrea Prendit për 21 janarin, pasi ka një provë të re. Katër protestues u vranë në ngjarjet e 12 viteve më parë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Nga Prokuroria e Posaçme, Gjiknuri kërkon të zbulohet se kush fshiu serverat me pamjet e kamerave të Kryeministrisë më 21 janar 2011 dhe se kush e pengoi Prokurorinë të bënte arrestimet e “grupit të zjarrit”. Duke vënë theksin te provat e reja, nënvizoi se SPAK-u duhet të nis hetim për Berishën dhe Bashën.

Sot bëhen pesë ditë që kur publiku u njoh me një provë të re për 21 janarin. Partia Socialiste sot do të depozitojë një kallëzim penal ndaj Berishës, Bashës e Prendit, referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit. Ne e kemi drejtuar gishtin nga Sali Berisha dhe nuk ka qytetar që nuk e di që urdhëruesit e vërtetë ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tij i afërt, Lulzim Basha.

Drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës. Prova e re përmban fakte të reja. Rezulton qartë se janë dhënë urdhra për të shtëna ndaj personave të pafajshëm. Me audio faktohet se vrasjet janë kryer në mënyrë të drejtpërdrejtë. Eshtë bërë me porosi për të dhe urdhrin e Sali Berishës.

Nga deklarimet e bëra publike të të kallëzuarit, Sali Berisha tregohet se ai ka qenë në komunikim me Lulzim Bashën dhe Ndrea Prendin. Nuk kemi të bëjmë me një vrasje nga pakujdesia, por të një vrasjeje të kryer me dashje.

Partia Socialiste i kërkon SPAK-ut të zhvillojë hetime konkrete ndaj të kallëzuarve. Pse Sali Berisha dhe Lulzim Basha ishin në krye të Gardës më 21 janar? Partia Socialiste nuk është pushtet gjyqësor, për 12 vjet kemi mirëkuptuar këdo. Besuam të drejtësia e re, por nuk mund të vazhdojmë të mbajmë në kurriz hijen e zhgënjimit që mbajnë të vrarët e 21 janarit. Duhet vepruar tani. Çdo ditë e humbur është vonë. Do e kallëzojmë sot në SPAK.