Aktualitet

Zbrazja e auditorëve, studentët organizojnë “Funeralin e universiteteve” para Ministrisë së Arsimit!

Në shenjë simbolike për zbrazjen e universiteteve, “Qëndresa Qytetare” dhe studentët vendosën dy pllaka varri para Ministrisë së Arsimit. Me lule në duar, u vunë në rresht duke bërë “homazhe” para këtij dikasteri. Protestuesi Gevio Tabaku tha se “dy pllakat e varrit simbolizojnë mbylljen e degëve, si pasojë e zbrazjes së universiteteve”.  Në universitete të vendit po mbyllen degë kryesore.

Matematika që ishte guri i themelit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” po mbyllet! A e dini që gjuha shqipe në Universitetin “Fan S. Noli” ka vetëm dy regjistrime? Durrësit po i mbyllet dega e Hoteleri-Turizmit, ndërsa askush nuk shqetësohet për Fizikën në Universitetin e Tiranës. A e pyet veten kjo ministre pse studentët s’po preferojnë as degët?

Kjo simbolizon “funeralin” e dhjetëra degëve. Qëndresa shpreh shqetësimin e braktisjes, rrënimit dhe pakësimit. Shqipëria do të jetë vendi i vetëm që nuk do të ketë nevojë për Ministri të Arsimit, se çdo vit pakësohet numri i studentëve në nivelin bachelor. Ky simbol i funeralit ka të bëjë me mbylljen e dhjetëra degëve dhe dështimin e bursave. 71.6% rrezikojnë të mbyllen sepse nuk i frekuentojnë, i frekuentojnë më pak se 10 studentë.

Duke qenë se programet prioritare janë jeleku i shpëtimit, nisur nga ky aksion do të ndjekim hap pas hapi që të kuptojmë pse të rinjtë nuk i duan këto programe. Duke përsëritur shifrat e vitit 2022, universitetet do të braktisen e deri më 2030-ën pritet të ketë 40% më pak.

Një tjetër protestues, tha:

Do të ketë përshkallëzim, por në mënyrë paqësore. Jemi këtu për t’ia kujtuar ministrisë. Mund të ketë dhe plane të gatshme që akoma nuk janë zbatuar.

Shqipëria po përballet me një braktisje të madhe të të rinjve, të cilët synojnë shkollimin në vendet europiane. Veç universiteteve, fenomeni i emigracionit po ndihet edhe në shkolla e gjimnaze. Këtë vit shkollor, në banka janë ulur 17 mijë e 543 nxënës më pak. Rënia më e thellë ndihet më shumë në arsimin 9-vjeçar ku krahasuar me vjet, mungojnë  11 mijë e 146 fëmijë të moshës shkollore 6-15 vjeç. Në shkollat e mesme numri është ulur me 6 mijë e 400 gjimnazistë.