Auto & Moto Botë e Çuditshme

Zbulohen 3 Tesla Roadsters të braktisura në port, në shitje për këtë çmim…

Tre automjete tip “Tesla Roadsters” të vitit 2010 janë shfaqur së fundmi gjatë zbulimit të një arke transporti, e cila ishte lënë e paprekur për të paktën 13 vitet e fundit në Kinë. Modelet e kërkuara sportive, u gjetën në gjendje pothuajse perfekte, ndërsa mësohet se ato nuk u morën kurrë nga blerësi i tyre. Tanimë, ndërmjetësi i Tesla Roadster me bazë në Arizona, Gruber Motor Company i ka listuar ato për shitje, me një vlerë prej 750,000 dollarë si oferta e fundit për të trija bashkë.

Edicionet Sport të makinës u shitën për rreth 128,500 dollarë në daljen e saj të parë në vitin 2010. Gruber thotë se ata nuk kanë qenë në gjendje t’i kontrollojnë motorët dhe do t’i dërgojnë në SHBA nga mesi i majit. Në këtë pikë ata as nuk e dinë nëse makinat do të mund të rindizen më, pasi bateritë e tyre kanë mbetur të fjetura për 13 vjet.

Çdo Roadster ka kuti të pahapura në bagazh, që supozohet se janë kabllo të reja karikimi dhe një kuti të madhe jashtë makinës, e cila mendohet të jetë përdorur nga transportuesit si një mburojë, që të mos dëmtohen gjatë transportit.