Showbiz

Zbulohen detajet e edicionit të 59-të, ja kush do të jenë prezantuesit e Festivalit të Këngës

Ditën e djeshme, stafi drejtues i Festivalit të 59-të të Këngës në RTSH, realizoi një takim në mjediset e RTSH-së ku ishin të ftuar artistët pjesëmarrës, autorët e këngëve të tyre dhe gazetarët e kulturës. Martin Leka, drejtuesi i Festivalit prezantoi stafin e këtij edicioni, i cili do të ketë si regjisor Pali Kukën , skenarist gazetarin Blendi Salaj, i cili po ashtu do të bashkëdrejtojë spektaklin me aktoren dhe moderatoren Jonida Vokshi.

Gjatë këtij takimi gjithashtu u prezantua platforma e Festivalit të 59-të, që do të mbahet këtë vit në kushte të veçanta për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19, në mjedis të hapur, pranë sheshit “Italia” në kryeqytet. Këngëtarët që do të marrin pjesë do kenë mundësi të përcjellin këngën e tyre, nëpërmjet performancave që do të lejojnë jo më shumë se 7 persona në skenë, duke respektuar kështu protokollin e masave anti-Covid të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Festivali do të mbahet midis datave 17-26 dhjetor në varësi të kushteve të diktuara nga pandemia dhe moti.