Aktualitet Sport

Zbulohen fanellat e reja të Kombëtares, grafika novatore e simbole historike!

Federata Shqiptare e Futbollit dhe Macron zbuluan fanellat e reja (uniforma e parë, e dytë dhe e tretë), që do të shoqërojnë Kombëtaren në rrugëtimin e kualifikuesve të Euro “Gjermani 2024”. Premiera pritet më 27 mars kur kuqezinjtë të përballen me Poloninë në ndeshjen e parë kualifikuese të Grupit E. Spikasin stil e grafika novatore, kombinuar me simbolet e rëndësishme të historisë e traditës së shqiponjave.

Shqiponja dykrenore që përfaqëson identitetin e një populli, guximin dhe vlerat e tij është motivi grafik dominues në fanellat e reja të Kombëtares. I fortë dhe i qartë mesazhi në mbështetje të mjedisit. Uniformat janë realizuar nga “Eco Fabric”, material i përbërë 100% me plastikë të riciklueshme, duke konfirmuar kështu filozofinë e gjelbër të FSHF-së dhe Macron.

Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është me ngjyrë të kuqe me një jakë polo të zezë e mbyllje me tre kopsa. Skajet e mëngëve dhe një shirit vertikal anash janë gjithashtu me ngjyrë të zezë. Pjesa e pasme e qafës është e personalizuar me logon e FSHF-së, atë Macron ku shkruhet “Designed in Bologna” për të vërtetuar dhe evidentuar si çdo veshje është konceptuar, dizenjuar e zhvilluar në selinë qendrore të kompanisë në Bolonjë.

Në pjesën e përparme dhe te supet, fanellat karakterizohen nga një grafikë gjeometrike, brenda së cilës bie në sy shqiponja dykrenore. Në anën e djathtë të gjoksit, e stampuar me material silikonm logoja e Macron, në të majtë logoja e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në pjesën e pasme të qafës, në kornizën e jashtme është qëndisur “ALBANIA” në ngjyrë të bardhë. Në pjesën e poshtme të fanellës ka një shirit të brendshëm të personalizuar me mbishkrimin e përsëritur: “Ti Shqipëri, më jep nder”, një fjali e kthyer në moton e Shqipërisë, marrë nga poezia e Naim Frashërit. Uniforma e parë plotësohet nga pantallona të shkurtra të zeza dhe çorape po të zeza me një vijë të kuqe e të hollë, në skajin e sipërm.

Fanella e dytë për ndeshjet në transfertë është me ngjyrë të bardhë, me jakë polo të zezë e me vijë të hollë të kuqe. Një kombinim kromatik që e gjejmë në skajet e mëngëve e në brezin vertikal në të dyja anët. Paraqitja grafike është identike me fanellën e ndeshjeve në shtëpi, me grafikë gjeometrike dhe shqiponjën me dy koka në pjesën e përparme. Edhe në këtë rast ka shkrimin “Ti Shqipëri, më jep nder” në shiritin e brendshëm, në pjesën e poshtme të fanellës dhe shkrimin “ALBANIA” me ngjyrë të zezë në pjesën e pasme të qafës. Pantallonat e shkurtra janë të bardha me një kordon e shirita anësore në ngjyrë të zezë, ndërsa çorapet e bardha kanë një vijë të kuqe e të hollë në skajin e sipërm.

Së fundmi, fanella e tretë është e gjitha e zezë me detaje të kuqe në jakën me formë polo, në skajet e mëngëve dhe në vijën e hollë vertikale të kuqe anësore. Në gjoks, logoja e FSHF-së është me silikon të kuq, ashtu si edhe logoja e Macron. Në pjesën e përparme e në mëngë përsëriten grafika gjeometrike. Në qendër bie në sy shqiponja, simbol i Kombëtares. Pantallonat e shkurtra të zeza kanë një vijë të kuqe e të hollë vertikale anash, një vijë të kuqe që e gjejmë në skajin e sipërm të çorapeve gjithmonë të zeza.

Të gjitha fanellat janë të përshtatura në përmasat Slim Fit. Materiali kryesor Eco-Softlock dhe prania e pjesshme e materialit Eco-Mesh i bëjnë veshjet veçanërisht të lehta e me ajrosje perfekte.