Aktualitet

Zbulohet me dron parcela me fidanë narkotikë në Vaun e Dejës/Mbjellja në pronë publike!

Në një operacion policor kundër kultivimit të bimëve narkotike, blutë e Vaut të Dejës dhe Shkodrës zbuluan dhe asgjësuan përmes djegies 500 fidanë narkotikë të mbjellë në një mjedis të hapur që u evidentua përmes kontrollit me dronë, në fshatin Ashtë, përgjatë bregut të lumit Drin. Ato u evidentuan në një pronë publike dhe po punohet për identifikimin e arrestimin e autorit apo autorëve, po në kuadër të operacionit policor antikanabis të koduar “Ashta”.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Ashta”. Operacioni, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi, për goditjen e veprimtarive kriminale të kultivimit dhe trafikimit të kanabisit.

Si rezultat i kontrolleve me dron, zbulohet një ambient i hapur ku ishin mbjellë në kubikë, 500 fidanë narkotikë, të cilët u asgjësuan me anë të djegies.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, si rezultat i kontrolleve me dron, të zhvilluara në kuadër të operacionit policor të koduar “Ashta”, kanë konstatuar në fshatin Ashtë, Shkodër, përgjatë bregut të lumit Drin, një ambient të hapur (pronë publike), ku ishin mbjellë në kubikë, rreth 500 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa.

Strukturat hetimore të DVP Shkodër dhe ato të komisariateve në varësi, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.