Botë e Çuditshme Design

Zbulohet një qytet banimi nga epoka romake!

Së fundmi arkeologët egjiptianë kanë zbuluar një “qytet banimi të plotë nga epoka romake” 1800-vjeçar në zemër të qytetit jugor të Luksorit. Qyteti, që daton në shekujt e dytë dhe të tretë, është “qyteti më i vjetër dhe më i rëndësishëm i gjetur në bregun lindor të Luksorit”, sipas Mostafa Waziri, kreu i Këshillit Suprem të Antikiteteve të Egjiptit.

Arkeologët zbuluan “një numër ndërtesash banimi”, si dhe dy “kulla” që përdoreshin për të strehuar pëllumbat dhe disa punishte metalike, brenda të cilave studiuesit gjetën një koleksion poçesh, veglash dhe monedha romake prej bronzi dhe bakri. Është një gjetje e rrallë arkeologjike në Egjipt, ku gërmimet, përfshirë në bregun perëndimor të Luksorit, ku shtrihet Lugina e famshme e Mbretëreshave dhe Lugina e Mbretërve janë më së shpeshti tempuj dhe varre.

Rikujtojmë, se shërbimet arkeologjike të Izraelit njoftuan së fundmi se kanë zbuluar një gjurmë dore “misterioze” në gur, që daton më shumë se 1000 vjet më parë, në pjesën e jashtme të qytetit të vjetër të Jeruzalemit. Zbulimi doli në dritë në Jerusalemin Lindor, pjesa e Qytetit të Shenjtë që është pushtuar nga Izraeli, në gërmimet që zbuluan mbetjet e fortifikimeve dhe një hendek mbrojtës që daton para se kryqtarët të merrnin Jeruzalemin në 1099.