Aktualitet Bota

Zbulohet pakti “jo-luftë” mes shqiptarëve, nigerianëve e Ndrangheta-s për trafikun e drogës

Klanet nigeriane, shqiptare, puliane dhe eksponentët e ‘Ndrangheta’ dyshohet se kanë “nënshkruar” një “pakt jo-lufte” për trafikun e drogës në Ferrara.

Kjo është thënë nga Vincenzo Musacchio kriminolog, jurist dhe bashkëpunëtor në Institutin Rutgers për Studimet Anti-Korrupsion në Neëark (SHBA), sipas të cilit pakti ishte nënshkruar për të ofruar “tonelata droge nga Evropa Lindore dhe Shqipëria”.

Kjo do arrihet duke kaluar nëpër brigjet puliane deri në sheshet e tregut të gjysmës së Italisë, “përfshirë ato të Ferrarës dhe krahinës së saj”.

“Ferrara – shton Musacchio – është një udhëkryq i rëndësishëm për mafiozët pasi vepron si një lidhje midis Emilia Romagna-s dhe Venetos.

Ekziston një treg i lulëzuar për drogat natyrale dhe sintetike që po rritet gjithashtu në lidhje me rritjen e popullsisë studentore në qytet gjatë dekadës së fundit. Duke qenë një qytet universitar me një popullsi studentore që është rritur ndjeshëm vitet e fundit, tregtarët e drogës kanë gjetur një kërkesë gjithnjë në rritje dhe një treg veçanërisht të lulëzuar”.

“Sistemi i shpërndarjes së drogës përfshin edhe dërgimin në shtëpi, veçanërisht gjatë pikut të pandemisë . Nigerianët, shqiptarët, kalabrezët dhe pulianët kanë krijuar një sistem të vetë-mjaftueshëm: prodhim, trafik dhe shitje”.

Sa i përket ‘Ndranghetës‘, “ka ndryshuar logjikën e tregut dhe të konkurrencës së lirë në shumë sektorë ekonomikë dhe financiarë. Krimi i organizuar edhe në zonën e Ferrarës mund të ndërhyjë në ekonominë vendase, në disa raste, “duke marrë përsipër” sektorë strategjikë”.

Gjithçka – përfundon Musacchio – “është pjesë e një strategjie të lidhur me metamorfozën e fundit të mafias, të cilat sot janë gjithnjë e më të orientuara nga tregu, korruptuese dhe të padukshme”.