Një infarkt i padiagnostikuar dhe i trajtuar me qetësues ka çuar në vdekjen e aktores së re italiane Francesca Carocci. Duke iu referuar mediave italiane sipas denoncimit të familjarëve, ky do të ishte shkaku i vdekjes së aktores 28-vjeçare të teatrit, e cila ndodhi marsin e kaluar në Romë. Ankesa bazohet në konkluzionet e mjekut që konfirmoi sulmin në zemër. Dy ditë para vdekjes së saj, Carocci, për shkak të dhimbjeve të forta në gjoks, shkoi në spitalin Aurelia ku nuk u konstatua asnjë patologji, por iu nënshtrua analizave dhe iu dhanë ilaçe qetësuese kundër dhimbjeve.
Dy ditë më vonë Carocci pati dhimbje të tjera në gjoks dhe vdiq sapo mbërriti në spital. Pas analizimit të të dhënave mjekësore dhe kryerjes së autopsisë, mjeku ligjor Luigi Cipolloni konstatoi simptomat e një patologjie kardiake, të cilat sipas tij do të ishin të identifikueshme edhe me të dhënat e analizave nga shtrimi i parë në spital, nëse do të ishin interpretuar saktë. Ndërkohë vijojnë hetimet e mëtejshme. Aktorja Francesca Carocci vdiq nga një atak në zemër më 2 mars.
Dy ditë më parë, më 28 shkurt, ajo ndjeu një dhimbje në gjoks, shkoi në urgjencë dhe pas një vizite, u dërgua në shtëpi me një qetësues. Përfundimet e autopsisë sugjerojnë se bëhet fjalë për një rast të ri të keqpërdorimit mjekësor. Analizat të cilave aktorja i ishte nënshtruar në spital, treguan se 28-vjeçarja vuante nga një patologji kardiake dhe saktëson se për rastin është hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia.