Celebrities Showbiz

Zbuloni 10 artistët shqiptar me famë ndërkombëtare…

Vendi ynë ka një sërë këngëtarësh, aktorësh dhe artistë të fushave të ndryshme, të cilët na kanë bërë krenarë jo vetëm brenda Shqipërisë por edhe jashtë kufijve të saj. Po ju listojmë 10 artistë me famë ndërkombëtare, të cilët sado larg të jenë, gjithmonë do të ketë diçka që i lidh me Shqipërinë.

Rita Ora

Rita Ora është një këngëtare britanike, prindërit e së cilës janë me origjinë shqiptare. E lindur në Prishtinë të Kosovës, ajo u largua për në Londër në moshën një-vjeçare. Ajo u bë e famshme në vitin 2012 me këngën “Hot Right Now”, dhe që atëhere ka patur një sërë hitesh muzikore.

Dua Lipa

Një tjetër yll i muzikës me origjinë shqiptare, është Dua Lipa. Prindërit e saj u zhvendosën për në Angli në vitet ’90, ndaj Dua lindi në Londër. Ajo ka patur bashkëpunime tepër të suksesshme me shumë artistë ndërkombëtarë, ku përfshihen Sean Paul dhe Calvin Harris.

Bebe Rexha

Këngëtarja, tekstshkruesja dhe producentja Bebe Rexha ka rrënjë shqiptare. Prindërit e saj u zhvendosën në Brooklyn në New York, ku Bebe lindi në vitin 1989. Ajo ka shkruar këngë për artistë shumë të njohur, përfshirë Rihanna dhe Eminem.

Era Istrefi

Era Istrefi është një këngëtare dhe tekstshkruese e lindur në Prishtinë të Kosovës. Ajo fitoi famë ndërkombëtare në vitin 2016 me këngën “Bonbon”. Kënga u pëlqye shumë dhe madje u bënë disa versione të saj në gjuhë të ndryshme.

Anna Oxa

Ilirjana Hoxha, e njohur dhe si Anna Oxa, është një këngëtare, aktore dhe figurë televizive me origjinë shqiptare. Ajo është shumë e njohur në Itali dhe ka patur mjaft performanca në Festivalin e Sanremos, ku dhe ka arritur të fitojë çmime.

Ermal Meta

Ermal Meta është një këngëtar dhe tekstshkrues i lindur në Fier. Ai fitoi Festivalin e Sanremos në shkurt të vitit 2018 me një këngë shumë të veçantë, dedikuar viktimave të luftës. Ai mori pjesë në Eurovision duke përfaqësuar Italinë.

Eleni Foureira

Entela Fureraj, e njohur si Eleni Foureira, është një këngëtare dhe performuese me origjinë shqiptare. Ajo është një artiste shumë e dashur në Greqi, ku edhe filloi karrierën e saj në vitin 2007, si pjesë e gupit ‘Mystique’. Në vitin 2018 ajo mori pjesë në Eurovision duke përfaqësuar Qipron.

Inva Mula

Inva Mula është një këngëtare soprano shqiptare me famë ndërkombëtare. Ajo ka performuar në disa nga skenat më prestigjioze në Bukuresht, Barcelonë, Tokio, Toronto e Francë. Inva ka bashkëpunuar me tenorë të famshëm të operas.

Saimir Pirgu

Saimir Pirgu është një tenor i operas me origjinë shqiptare e famë ndërkombëtare. Vlerësuar për autoritetin dramatik dhe skenik të interpretimeve të tij, ai është cituar në shtypin ndërkombëtar si “një nga zërat më të bukur që mund të dëgjohen sot” dhe si “një nga interpretuesit më të rëndësishëm botërorë të roleve të tenorit lirik”.

Bleona Qereti

Bleona Qereti është një këngëtare, tekstshkruese e personazh televiziv me origjinë shqiptare. Që në moshë të vogël dallohet për pjesëmarrje në aktivitete të ndryshme të zhvilluara për fëmijë në Korçë dhe Elbasan. Përfaqësimi i saj i parë ndërkombëtar ka qenë në festivalin ballkanik të grupeve të fëmijëve në vitin 1991 i cili u zhvillua në Preveza të Greqisë.