Pasò Sport

Zëdhënësi i Federatës Maqedonase, Faton Zylbehari: “Besimi dhe optimizmi janë falas, ekipet që nuk janë në ‘playoff’ nuk mund të kenë iluzionet që kemi ne!”

E premtja sportive nuk mund të mungonte edhe këtë episod në TAR! Me shumë diskutime dhe analiza rreth të rejave në futboll, “Paso” solli një larmi bisedash mes shumë të ftuarve si gjithmonë. Krahas Lenida Halilajt, tanimë një mikeshë e emisionit, i ftuar në një bisedë telefonike ekskluzivisht për TAR ishte dhe zëdhënësi i Federatës Maqedonase, Faton Zylbehari.

Ai ka folur më shumë rreth kualifikimit të skuadrës së Maqedonisë së Veriut, duke u shprehur rreth shortit që do të zhvillohet për ndeshjet ‘playoff’.

Gjithë ne që jemi pranë futbollit duke parë favoritët dhe jo favoritët, përzierja e grupeve, çdo skuadër do të donte kundërshtar Maqedoninë. Edhe pse, herën e fundit që jemi përballur me Italinë kemi barazuar 1 me 1. Gjërat kanë ndryshuar që atëherë, nuk duam të fluturojmë. Po është e shkruar të bëjmë befasinë e rradhës do ishte qershia mbi tortë. 

Teksa, Zylbehari u shpreh shumë optimist lidhur me këtë sfidë të re të Maqedonisë së Veriut, zëdhënësi u shpreh se për sa kohë kanë kaluar në ‘playoff’ kanë të drejtë të kenë shpresa.

Besimi dhe optimizmi janë falas. Sa është reale është tjetër çështje. Ekipet që nuk janë në ‘playoff’ nuk mund të kenë iluzionet që kemi ne. Çunat duhet të punojnë fort.