Bota

Zelensky apel Bjellorusisë: Mos u përfshi në luftën ruse në Ukrainë!

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i bën thirrje Bjellorusisë fqinje dhe që njihet si aleate e ngushtë e Rusisë, të mos përfshihet në luftën ruse kundër Ukrainës.

Kremlini ka vendosur tashmë gjithçka për ju. Ju nuk jeni skllevër dhe mish për top. Nuk keni pse të vdisni!

Komentet pasuan njoftimin e presidentit rus Vladimir Putin se Moska synon të furnizojë Bjellorusinë me sisteme raketore me aftësi bërthamore, tip “Iskander-M”, në muajt e ardhshëm. Putin e bëri të ditur këtë, në një takim me udhëheqësin bjellorus, Alexander Lukashenko.

Kievi po raporton sulme të trupave ruse, nga territori bjellorus.

Unë e di se populli bjellorus na mbështet ne, vetëm ne dhe jo luftën. Dhe kjo është arsyeja pse udhëheqja ruse dëshiron t’ju tërheqë në luftë.

Dita e 124-rt e luftës në Ukrainë e nga Bjellorusia u ndërmorën sulme në drejtim të rajonit Chernihiv. Në vijim të bombardimeve ruse, raketat e pushtuesve goditën edhe një zonë rezidenciale në Kiev. Një person humbi jetën e katër të tjerë u plagosën, mes tyre një vajzë 7-vjeçe. Ndërkohë, Moska këmbëngul se goditi vetëm një fabrikë raketash dhe se dëmet në pjesët e banuara janë pasojë e mbrojtjes anti-ajrore ukrainase.

Sulme të reja edhe në rajonin ukrainas të Odesës. Ndërkaq, raportohet se ushtria ruse po përgatitet për një ofensivë të re në Ukrainë. Moska është duke dislokuar trupa e mjete ushtarake shtesë në Sloviansk. Kievi zyrtar bën të ditur se nga Bjellorusia hynë 20 vagonë treni me municione ruse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet të bëjë thirrje për më shumë armë të rënda, kur sot t’i adresohet samitit të G7-ës, grupit të shtatë shteteve më të industrializuara. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja e Japonia. Adresimi i tij vjen pasi në lindje të Ukrainës, Rusia ka fituar kontroll të plotë të Severodonjeckut, si dhe është duke shënjestruar qytetin Lisiçansk.