Bota

Zelensky: “Donbasi është shkatërruar!”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se “forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht” rajonin ukrainas të Donbasit”, teksa Moska ka intensifikuar ofensivën në lindje. Zelensky akuzoi forcat ruse se “po tentojnë të vrasin sa më shumë ukrainas e të shkaktojnë sa më tepër dëme”, duke përsëritur akuzat se “Rusia po kryen genocid”.

Atje është ferr dhe ky nuk është ekzagjerim. 12 persona u vranë në bombardimet brutale e absolutisht të pakuptimta në Severodonjeck. Ka sulme ajrore të vazhdueshme në rajonin e Odesës, në qytetet në qendër të Ukrainës. Donbasi u shkatërrua plotësisht.

Ministria britanike e Mbrojtjes njofton sot se “ka gjasa që Rusia të përforcojë operacionet në rajonin e Donbasit”. Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe pasi dështoi të merrte nën kontroll Kievin e të tjera qytete kyçe e përqendroi ofensivën në rajonin lindor të Donbasit.

Nga të dhënat e përditësuara për luftën në Ukrainë, inteligjenca ushtarake britanike raporton se “thuajse 1 mijë e 700 ushtarë ukrainas janë larguar nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol”. Një ditë më parë, Rusia informoi për 1 mijë e 730 ushtarë ukrainas të “dorëzuar” në Azovstal. Ukraina kërkon të shkëmbejë të burgosurit, por nuk jep detaje.

Zelensky bisedoi me kryeministrin britanik, Boris Johnson dhe presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për një sërë çështjesh, përfshirë ndihmën financiare për ekonominë e shkatërruar ukrainase, eksportet bujqësore dhe evakuimin nga Azovstali. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq po regjistron luftëtarët ukrainas të larguar nga Azovstali si të burgosur lufte. Ata janë transferuar në territore në lindje të Ukrainës, por që kontrollohen nga separatistët pro-rusë. Ende nuk është i qartë numri i ushtarëve që vazhdojnë të gjenden në fabrikë, ndërsa qyteti i Mariupolit kontrollohet nga rusët.

Luftëtarët në Azovstal ishin qëndresa e fundit në Mariupolin e shkatërruar nga bombardimet ruse. Ukraina i urdhëroi që të dorëzonin armët e të largoheshin nga fabrika. Kombet e Bashkuara bënë thirrje që Rusia e Ukraina të bashkëpunojnë, për t’i dhënë fund rrethimit e mundësuar evakuimin.