Bota

Zelensky e sfidoi, Biden nuk ndryshon qëndrim për raketat në Poloni që vranë dy persona!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, sot kundërshtoi komentin e homologut të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se raketat që ranë në Poloni mbrëmjen e së martës, nuk ishin me origjinë ukrainase. Pasi u kthye nga udhëtimi në Bali të Indonezisë ku mori pjesë në samitin e G20-ës, Biden u tha gazetarëve:

Këto nuk janë dëshmitë!

Deklarata e shefit të Shtëpisë së Bardhë pasoi komentet e kreut të NATO-s e zyrtarëve të Polonisë se shpërthimi i 15 nëntorit në territorin polak u shkaktua nga një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase. Një ditë më parë, presidenti polak, Andrzej Duda, deklaroi:

Nga informacioni që kemi ne dhe aleatët tanë, ishte një raketë S-300 e prodhuar në Bashkimin Sovjetik, një raketë e vjetër e nuk ka asnjë provë që është lëshuar nga pala ruse. Ka shumë të ngjarë që të jetë qëlluar nga mbrojtja kundërajrore ukrainase.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha gjithashtu se “ka të ngjarë të ketë qenë një raketë e mbrojtjes ajrore ukrainase e lëshuar për të rrëzuar ato të Rusisë më 15 nëntor”, gjatë asaj që Kievi tha se “ishte vala më intensive e sulmeve raketore të Moskës në mbarë Ukrainën, që nga fillimi i luftës në shkurt”. Megjithatë, Stoltenberg vuri në dukje se “Rusia, jo Ukraina, ishte fajtore për fillimin e luftës”.

Ky nuk është faji i Ukrainës. Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare pasi vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës.

Por, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk pajtohet me këto përfundime e duke i sfiduar të gjithë, u shpreh:

Unë nuk kam asnjë dyshim se nuk ishte raketa jonë. Besoj se kjo ishte një raketë ruse, bazuar në raportet tona ushtarake.

Ministria e Punëve të Jashtme polake tha se një raketë e prodhuar nga Rusia ra në fshatin Przewodow, në Poloninë lindore, rreth gjashtë kilometra larg kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona më 15 nëntor, pas një dite bombardimesh masive ruse të Ukrainës.