Bota

Zelensky i hapur për paqen me rusët, pa rikikthimin e Krimesë!

Për të parën herë në mënyrë të qartë e të prerë, presidenti ukrainas Zelensky shprehet i gatshëm për paqen me Rusinë, pa rikthimin e Krimesë nga Rusia. Ky gadishull iu aneksua Ukrainës nga Moska, 8 vjet më parë. Ndërkohë, Zelensky nuk e fsheh shqetësimin për ushtarakët që po i bëjnë rezistencë pushtuesve në fabrikën e çelikut Azovstal, në Mariupol.

Po punojmë mbi opsionet diplomatike për të shpëtuar ushtarakët tanë që ende janë në Azovstal. Për këtë janë përfshirë ndërmjetës me peshë, nga vende të rëndësishme. Njëherazi, vazhdojmë misionin e evakuimit në Mariupol, me fokus në Azovstal, me ndërmjetësimin e Kombeve të Bashkuara dhe të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Dita e djeshme u mbyll me largimin e 50 civilëve nga Azovstali. Shifra konfirmohet nga autoritetet ukrainase, ndërsa mediat ruse folën për 51 të evakuar, përfshirë disa fëmijë.

Mbrojtja ukrainase paralajmëron qytetarët se “pushtuesit rusë mund të ndërmarrin bombardime masive, në prag të 9 Majit”. Kjo është një datë për të cilën po flitet gjerësisht ditët e fundit, nisur edhe nga simbolika e fortë. Çdo 9 maj, Rusia shënon Ditën e Fitores apo triumfin e Bashkimit Sovjetik mbi Gjermaninë naziste në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Nuk përjashtohet mundësia që Putin ta shfrytëzojë për një mobilizim të përgjithshëm të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Pas dy ditësh, pra më 9 maj, në Odesë të Ukrainës pritet të jetë në fuqi një armëpushim, që fillon nesër në orën 17:00 me atë lokale, për të zgjatur deri në 05:00 të mëngjesit të datës 10 maj, të martën e ardhshme.

Wall Street Journal shkruan se “disa ndërmarrje kineze hi-tech janë tërhequr pa shumë zhurmë nga tregu rus, nën presionin e sanksioneve me të cilat përballet Rusia për shkak të luftës në Ukrainë”.

Një zhvillim që vjen pavarësisht deklaratave të vazhdueshme të Pekinit zyrtar për t’i rezistuar masave të Perëndimit. Mes të larguarve janë edhe emra të njohur si Lenovo e Xiaomi.