Bota

Zelensky kërkesë direkte Biden: Shpall Rusinë shtet terrorist!

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi të dielën presidentit amerikan Joe Biden që “të ndihmojë të gjithë botën duke e shpallur Rusinë si shtet sponsor të terrorit – një lëvizje që Shtëpia e Bardhë ka refuzuar ta bëjë më herët.

Zyrtarë të lartë në administratën e Bidenit kanë qenë në kontakt të ngushtë me homologët e Kremlinit ditët e fundit, tha të dielën këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, pasi udhëheqësi autokratik rus Vladimir Putin sugjeroi se ai mund të përdorte armë bërthamore në agresionin e tij disamujor ndaj Ukrainës.

Kjo kërkesë e presidentit Zelensky vjen në një kohë kur në rajonet e pushtuara në Ukrainë, Kremlini po mban referendume të rreme për aneksimin e tyre në federatën ruse.

Mediat ndërkombëtare kanë shfaqur video që tregojnë banorët duke u detyruar nën kërcënimin e armëve në qendrat e votimit për të votuar nëse do të lejohet ose jo Rusia të aneksojë territoret e tyre.

Zelensky i tha CBS News se Moska e ka “të pamundur” përfundimin e pushtimit përmes bisedimeve diplomatike me Kievin.

 “Unë mendoj se është një sinjal shumë i rrezikshëm nga presidenti Putin që na thotë se ai nuk do t’i japë fund kësaj lufte,” tha Zelensky.

Ai u kërkoi gjithashtu Shteteve të Bashkuara të lëvizin përtej vendosjes së sanksioneve duke e përcaktuar vendin si një shtet sponsorizues të terrorizmit.

“Unë e kuptoj se do të ketë pasoja. Këto implikime do t’i bëjnë të pamundura negociatat diplomatike, por ata janë terroristë dhe ne nuk mund t’i lejojmë ta bëjnë këtë nga frika. Ata nuk do të dorëzohen. Ne duhet të vazhdojmë të shtyjmë”, tha Zelensky.