Bota

Zelensky në samitin e BE-së në Bruksel për të kërkuar avionë luftarakë!

Liderët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Europian sot takohen në Bruksel për të diskutuar mbi emigracionin, çështjet ekonomike dhe mbështetjen e bllokut për Ukrainën.  Udhëheqësit do të vlerësojnë situatën në vendin e pushtuar nga Rusia dhe masat e mëtejshme për të përkrahur Kievin zyrtar. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy pritet të marrë pjesë personalisht në samit pas ftesës së Charles Michel, kreut të Këshillit Europian. Për arsye sigurie, prezenca e tij nuk ishte konfirmuar zyrtarisht edhe pse nuk ka dyshime se do të jetë për të kërkuar avionë luftarakë.

Përveç ndihmës ushtarake, drejtuesit e shteteve të Bllokut do të flasin për mënyrën e përdorimit të aseteve ruse me vlerë 300 miliardë euro e që janë ngrirë për shkak të sanksioneve për luftën e saj kundër Ukrainës. Gjithashtu, ata do të shqyrtojnë masat e mëtejshme kufizuese kundër Moskës, ndërsa Blloku planifikon të vendosë raundin e dhjetë të sanksioneve përpara përvjetorit të parë të luftës më 24 shkurt.

Çështjet ekonomike do të jenë pika e dytë në axhendën e liderëve të Bashkimit Europian, me fokus strategjinë e re për mbështetjen e industrisë europiane në përgjigje të Aktit të Reduktimit të Inflacionit të shpallur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Brukseli zyrtar ka frikë se legjislacioni i ri u jep bizneseve amerikane avantazh të padrejtë. Por, ndërkohë thuhet se synon të nxisë energjinë e pastër e gjithashtu të reduktojë kostot e kujdesit shëndetësor. Po ashtu, udhëheqësit do të debatojnë mbi temën e menaxhimit të emigracionit.

Në Europë, edhe Britania po shqyrton mundësinë e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar në rindërtimin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Këtë e tha kryeministri britanik Rishi Sunak gjatë takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Londër. Britania e Madhe po punon me vendet aleate për të parë nëse mund të legalizojë përdorimin e këtyre aseteve. Londra është donatorja e tretë më e madhe humanitare dhe ekonomike në Ukrainë.