Bota

Zelensky në samitin e NATO-s: Na duhen më shumë armë të rënda!

Përmes video-lidhjes, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky u tha liderëve të NATO-s në Madrid, se Ukraina ka nevojë për më shumë armë të rënda dhe më shumë mbështetje financiare, për t’u përballur me pushtimin rus në Ukrainë, duke paralajmëruar se ambiciet e Moskës nuk do të ndalen në këtë shtet.

Neve na duhet të ndalim avantazhin e artilerisë ruse…neve na duhen më shumë sisteme moderne, artileri moderne. Kjo nuk është luftë që ka nisur nga Rusia vetëm kundër Ukrainës. Kjo është luftë për të diktuar kushtet në Europë, për mënyrën si do të duket e ardhmja në botë.

Zelensky bëri thirrje edhe për më shumë ndihmë financiare, duke thënë se Ukrainës i duhen 5 miliardë dollarë në muaj për mbrojtje kundër agresionit rus. Po ashtu, kërkoi më shumë sanksione ndaj Rusisë, masa do t’ia pamundësojnë këtij shteti sigurimin e parave për luftë.

Rusia ende pranon miliarda dollarë çdo ditë dhe i shpenzon ato për luftë. Ne kemi deficit në vlerë të disa miliarda dollarëve, ne nuk kemi naftë dhe gaz për ta mbuluar.

NATO po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë. Këtë e theksoi sot Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg duke shtuar se “Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të Aleancës”. Në nisje të ditës së dytë të samitit të NATO-s në Madrid, në të cilin pritet të miratohet strategjia e re për të ardhmen e Aleancës, Stoltenberg theksoi se aleatët takohen në “kohën e krizës më serioze”.

Samiti do të jetë historik dhe transformues. Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë.

Përditësimi i fundit i politikave të NATO-s është bërë më 2010-ën. Stoltenberg pret dhe ratifikim të shpejtë të marrëveshjes për anëtarësim të Suedisë e Finlandës në Aleancën ushtarake, pas heqjes së vetos nga ana e Turqisë. Të dyja shtetet kanë aplikuar për anëtarësim në Aleancë në mesin e muajit maj.

Pas ftesës, duhet të ketë ratifikim të procesit në të 30-të parlamentet. Kjo zakonisht merr kohë, por unë pres që procesi të ecë shpejt, sepse vendet aleate janë të gatshme të veprojnë sa më shpejt që është e mundur.