Bota

Zelensky: Nuk do t’ia japim jugun askujt! Në sytë e ushtarëve shoh që Ukraina do fitojë

“Ne nuk do t’ia japim jugun askujt”. Kështu deklaroi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në një video-mesazh në Telegram , pasi u kthye nga vizita e djeshme në jug të vendit, në Mykolaiv dhe Odessa, dy qendrat strategjike në Detin e Zi, ku u takua me trupat.

“Ne nuk do t’ia japim jugun askujt, do të kthejmë gjithçka që është e jona dhe deti do të jetë ukrainas dhe i sigurt”, thotë Zelensky duke iu drejtuar popullit të tij.

Presidenti shtoi se ai kishte folur me trupat dhe policinë gjatë vizitës.

“Disponimi i tyre është i sigurt dhe nuk ka dyshim në sytë e tyre se Ukraina do të fitojë luftën kundër pushtuesve rusë,” tha ai.

Lufta është në muajin e katërt dhe Ukraina po zhytet drejt varfërisë. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po mbyllen, vështirësi janë hasur në bujqësi, paga janë ulur me 25-50 për qind. Lufta po kthehet në zi buke dhe prek edhe të pasurit, teksa sëmundjet janë përhapur në juglindje. Ajo që e bën më të vështirë është ndihmat nuk mund të arrijnë dot në fshatrat periferike.

Jens Stoltenberg , sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka deklaruar se të gjithë duhet të përgatitet pasi lufta në Ukrainë mund të zgjasë më vite, prandaj ka vënë theksin se mbështetja duhet të jetë e pakursyer për ta deri në përfundim të kësaj beteje.

“Ne duhet të përgatitemi për faktin se mund të duhen vite. Ne nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës, edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, tha Stoltenberg.

Beteja shumë e fortë është përqënduar në Severodonetsk, ku Serguii Gaidai, guvernatori i Lugansk tha se janë gati për të përballuar edhe “më të keqen”.

Në Severodonetsk, forcat ruse dhe ukrainase përleshen në rrugë, ndërsa në Lyssychansk zjarri i artilerisë ruse është i përhershëm, pothuajse 24 orë në ditë

“Në Lysytchansk, ka shenja të përgatitjeve për luftime në rrugë: ushtarët po hapin gropa dhe po montojnë tela me gjemba, dhe policia po vendos automjete të djegura nëpër rrugë për të ngadalësuar trafikun. Jeta është shumë e vështirë për 10% të banorëve të Lyssytchansk, të cilët mbetën në qytet në bodrume, pa rrjet telefonik, ujë të rrjedhshëm apo energji elektrike”, tha ai.

Nga ana tjetër, është e vështirë për të pasqyruar një panorama të qartë edhe sa i përket shifrave. Teksa nuk ka një numër konkret se sa janë të evakuuarit, Ruisa pretendon se ka evakuuar mbi 1.9 milionë ukrainas, përfshirë 307,000 të mitur.

“U evakuuan “pa pjesëmarrjen e autoriteteve ukrainase, 29.733 persona nga zonat e rrezikshme”, ka thënë kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Mbrojtjes së Rusisë, Mijaìl Mìzintsev, për agjencinë Sputnik.