Bota

Zelensky para G7-ës: Lufta të përfundojë para dimrit!

Në adresimin përmes video-lidhjes, sot në ditën e dytë e të parafundit të samitit të G7-ës në Bavari të Gjermanisë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, tha se dëshiron që lufta e Rusisë në Ukrainë, të përfundojë para se të nisë dimri. Zelensky vuri në dukje se moti i ftohtë, me temperatura që ulen ndjeshëm do ta bënte më të vështirë luftën në fushëbetejë, ndërsa liderëve të G7-ës, iu kërkoi të japin maksimumin, për t’i dhënë fund luftës para fundit të vitit.

Ndër të tjera, kreu i shtetit ukrainas apeloi për ndihmë në rindërtimin e shtetit, si dhe kërkoi sisteme për mbrojtje, mbështetje për të nxjerrë grurin jashtë shtetit e garanci lidhur me sigurinë. Perëndimi të mos e ulë presionin ndaj Moskës dhe të vazhdojë të ndëshkojë ashpër Rusinë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, konfirmoi se “G7-a do të vazhdojë të rrisë presionin mbi Putinin”. Ky grup përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia. Mikpritësi Scholz u shpreh:

Kemi folur për një mbështetje ndaj Ukrainës dhe faktit se, me masa të ashpra, do të bëjmë gjithçka të jetë e mundur për ta mbështetur atë, por  ne kemi theksuar gjithashtu faktin se duhet të shmangim një konflikt mes NATO-s dhe Rusisë!

Së pari, nuk duhet të biem në kurthin e vendosur nga presidenti rus, Vladimir Putin, për të supozuar se bota është e ndarë mes pjesës së saj perëndimore dhe gjithë vendeve të tjera.

Kancelari gjerman i bëri komentet para liderëve të Argjentinës, Indisë, Indonezisë, Senegalit dhe Afrikës së Jugut, në ditën e dytë të samitit të G7-ës.

Demokracitë ekzistojnë në të gjithë botën dhe kanë perspektiva të ngjashme. Lufta përfshin pasoja të njëjta në të gjithë planetin. Shumë vende kanë frikë nga një krizë e lidhur me urinë dhe rritjen masive të çmimeve të energjisë. Në këtë kaos duhet të qëndrojmë të gjithë së bashku dhe të solidarizohemi!