Bota

Zelensky: “Pas masakrave në Buça e Kramatorsk, nuk qaj dot më!”

Polonia organizon sot një konferencë donatorësh për të ndihmuar mbi 11 milion banorë të larguar nga Ukraina ose që janë zhvendosur brenda vendit, për shkak të pushtimit rus. Konferenca e orës 15:00 në Varshavë, u mbështet nga organizata joqeveritare Global Citizen, Komisioni Europian dhe qeveria kanadeze. Kryesisht, paratë do të shkojnë për programet e Kombeve të Bashkuara dhe nismat lokale të ndihmës.

Pas vizitës në Kiev, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, planifikon të paraqitet personalisht në konferencën e donatorëve në Poloni. Kryeministri kanadez, Justin Trudeau do të marrë pjesë përmes një lidhjeje video. Pjesëmarrjen e konfirmoi edhe presidenti polak, Andrzej Duda. Mbi 2.5 milion ukrainas kanë kaluar kufirin për në Poloni. Sipas UNHCR-së, nga Ukraina janë larguar rreth 4.4 milion banorë.

Më shumë njerëz duhet të evakuohen nga rajoni i Luganskut në Ukrainën lindore, me intensifikimin e bombardimeve ruse. Guvernatori Serhiy Gaidai tha se “rreth 30% të banorëve që ende mbeten në qytete dhe fshatra iu kërkua të evakuohen”. Rusia planifikon sulme të intensifikuara në lindje dhe jug të Ukrainës, pasi tërhoqi trupat nga zonat në veri të kryeqytetit, Kiev.

YouTube bllokoi Duma TV që transmeton nga Dhoma e Ulët e Parlamentit të Rusisë. Moska paralajmëroi se do të kundërpërgjigjen me kufizime.

Kievi akuzon rusët se po vrasin e torturojnë njerëzit e medias. Ndërkohë, vazhdon të rritet numri i viktimave civile të vrarë në Buça. Deri tani konfirmohen 360 të vrarë, mes tyre 10 fëmijë. Dy ditë më parë ishin 320 viktima dhe ka denoncime se në Buça, rusët kishin krijuar një dhomë sekrete torturash e aty gjendej lideri çeçen i afërt me Moskën, Kadyrov.

Njerëzit po qëllohen me armë zjarri në fytyrë, iu digjen sytë, iu priten pjesë të trupit dhe torturohen deri më vdekje, të rritur e fëmijë.

Presidenti Zelensky u shpreh se pas masakrës në Buça e sulmeve në Kramatorsk, ai nuk arrin të qajë më. Këtë e theksoi në një intervistë për të përditëshmen gjermane Bild. Kievi po krijon një arkiv online për të dokumentuar krimet e luftës.