Bota

Zelensky përjashton bisedimet nëse Rusia mban referendume në zonat e pushtuara

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se nëse Moska mban referendume në zonat e pushtuara të vendit të tij për bashkimin me Rusinë, nuk mund të ketë bisedime me Ukrainën apo aleatët e saj ndërkombëtarë.

Zelensky tha në adresimin e tij të vonë të natës së 7 gushtit se Ukraina po qëndron fort në pozicionin e saj për të mos i dhënë asnjë territor Rusisë.

“Nëse pushtuesit vazhdojnë rrugën e pseudo-referendumeve, ata do të mbyllin çdo shans për bisedime me Ukrainën dhe botën e lirë, të cilat qartë do t’i duhen palës ruse në një moment”, tha ai.

Trupat ruse dhe separatistët e mbështetur nga Moska tani kontrollojnë sipërfaqe të mëdha territori në rajonin Donbas të Ukrainës lindore dhe në zonat jugore.

Zyrtarët e mbështetur nga Rusia në të dyja zonat kanë ngritur mundësinë e mbajtjes së referendumeve për bashkimin me Rusinë.

Zyrtarët rusë dhe ukrainas mbajtën disa seanca bisedimesh në mars, por u arrit pak përparim dhe secila palë fajësoi tjetrën për ndërprerjen e kontakteve.

Muajin e kaluar, administrata ushtarake e instaluar nga Moska zyrtare në qytetin ukrainas të Khersonit, bëri të ditur se “po përgatitet që të mbajë një referendum për t’iu bashkuar Rusisë”.

Kherson, qytet-port në Detin e Zi është nën kontrollin e plotë rus që prej fillimit të marsit apo pak javë pasi Moska nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

Në vitin 2014, në mënyrë të jashtëligjshme e të dënuar masivisht nga Perëndimi, Rusia i aneksoi Ukrainës, Gadishullin e Krimesë, pas një referendumi, rezultatet e të cilit gjerësisht u konsideruan e gjithashtu u konfirmuan si “të falsifikuara”.

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe homologu i Moskës, ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov patën një përballje direkte, por të vështirë, në një bisedë telefonike. Zyrtarisht, u raportua se ishin të shumta temat e nxehta të diskutuara dhe Blinken bëri të qartë se “bota, asnjëherë nuk do të njohë një aneksim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia”.