Bota

Zelensky: “Situata në Donbas, jashtëzakonisht e vështirë!”

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se “situata në Donbas është jashtëzakonisht e vështirë”, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmin në lindje të Ukrainës.

E gjithë fuqia e ushtrisë ruse është përqendruar në këtë sulm! Forcat ruse po synojnë të shkatërrojnë gjithçka në Liman, Popasna, Severodonjeck e Slloviansk. Por, bazuar në përgjimet e bisedave të tyre telefonike, ne kemi dëgjuar se ata janë të vetëdijshëm se kjo luftë nuk ka kuptim për Rusinë dhe në aspektin strategjik, ushtria e tyre nuk ka asnjë shans!

Sipas Zelenskyt do të duhet kohë dhe “përpjekje të jashtëzakonshme” për ukrainasit që të thyejnë avantazhin rus, sa i përket pajisjeve e armëve, ndërsa sërish u bëri thirrje shteteve perëndimore, që ta furnizojnë Ukrainën me armë të rënda.

Raketahedhës, tanke, armë kundër anijeve e të tjera janë investimi më i mirë për Ukrainën, në ruajtjen e stabilitetit në botë dhe për parandalimin e “krizave të rënda” që Rusia po planifikon të shkaktojë.

Më herët, në fjalimin para Forumit Botëror Ekonomik në Davos, Zelensky bëri një bilanc e raportoi se “Rusia ka kryer pothuajse 1 mijë e 500 sulme me raketa dhe mbi 3 mijë bombardime ajrore kundër Ukrainës në tre muajt e parë të luftës”. Një ditë më parë u mbushën tre muaj nga dita kur Rusia nisi agresionin në Ukrainën fqinje, në emër të “operacionit ushtarak për ta çmilitarizuar”.

Dy zyrtarë të lartë rusë duket se e pranuan që përparimi i Moskës ka qenë më i ngadalshëm nga sa pritej, edhe pse u zotuan se ofensiva do t’ia arrijë qëllimeve. Nikolai Patrushev, sekretar i Këshillit rus të Sigurisë, tha se “Moska zyrtare nuk po ndjek afate”. Ndërkaq, gjatë një takimi të një aleance të sigurisë që udhëhiqet nga Rusia e ku marrin pjesë ish-shtetet sovjetike, ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha se “qëllimisht, Rusia ka ngadalësuar ofensivën, në mënyrë që të lejojë evakuimin e banorëve në qytetet e rrethuara”.

E ndërsa pushtimi nga Rusia po vazhdon, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës tha se “betejat që po zhvillohen në lindje të territorit, mund të përcaktojnë fatin e shtetit”.