Aktualitet

Zgjedhja e 61 kryetarëve të PS-së, shtyhet deri më 31 maj afati i aplikimeve!

Partia Socialiste mori vendim që të shtyjë deri në ditën e fundit të muajit, pra në datën 31 maj, afatin e aplikimeve dhe të propozimeve për 61 kryetarët e partisë, në po kaq bashki të vendit tonë. “Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot dhe duke u marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste, vendosi shtyrjen e afatit të aplikimeve”.

Në njoftimin zyrtar të forcës politike në pushtet, theksohet:

Në zbatim të vendimeve të Kongresit, Asamblesë Kombëtare dhe Kryesisë për fushatën e zgjedhjeve të brendshme për kryetarët e 61 degëve të partisë në bashki, deri ditën e djeshme janë administruar mbi 400 emra si kërkesa për vetkandidim dhe propozime nga Këshillat Socialiste në territor.

Në kushtet kur afati i përcaktuar skadon sot, duke u marrë në konsideratë interesi i lartë për pjesëmarrje në këtë proces, Sekretariati Ekzekutiv i Partisë Socialiste ka vendosur shtyrjen e afatit të aplikimeve dhe propozimeve deri në datën 31 maj.

Ndërkohë, Partia Socialiste bën të ditur se kjo periudhë shtesë do të shërbejë jo vetëm për administrimin e kandidaturave të reja, por edhe plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm nga kandidaturat e deritanishme.

“Çdo kandidaturë duhet të ketë si dokumentacion shoqërues një CV, kërkesën për kandidim dhe formularin e vetdeklarimit për garantimin e integritetit ligjor. Platforma e kandidimit është një material, i cili do të prezantohet para asamblesë së bashkisë përkatëse vetëm nga kandidatët të cilët kualifikohen për fazën finale të garës”, – vihet në dukje në njoftimin e bërë nga selia rozë.

Procesi i propozimit të kandidaturave për kryetar të partisë së bashkisë është i hapur dhe në të marrin pjesë të gjithë strukturat e partisë së bashkisë, drejtuesi politik i qarkut, deputetët e asaj bashkie, forumet apo çdo anëtar i spikatur i Partisë Socialiste në bashki.

Kryeministri Rama ka kërkuar që kryetarët e PS-së, të heqin dorë nga angazhimi për punësime politike.