Aktualitet

Zgjedhja e drejtuesve të rinj të PS-së, ndalesa e radhës në Gjirokastër!

Gjirokastra ishte ndalesa e radhës e takimeve të Partisë Socialiste për përzgjedhjen e drejtuesve të rinj vendorë në 61 bashkitë e vendit.
Para Asamblesë së Zgjeruar të Bashkisë Gjirokastër, gjashtë kandidatët e përzgjedhur për fazën finale dhe që janë Gentian Llogo, Ibrahim Kuka, Ilir Metaj, Irida Hoxha, Magdalena Margariti e Mihare Lapa, paraqitën platformat e tyre të kandidimit.

Komisioni i Posaçëm i mandatuar nga Kryesia Socialiste, deputetë të Qarkut Gjirokastër, si dhe gjithashtu nga anëtarësia e partisë, patën mundësi të njihen me vizionin e secilit prej kandidatëve dhe qasjen e tyre për të kontribuar në drejtimin sa më të mirë të degëve lokale dhe arritjen e sukseseve elektorale të radhës për Partinë Socialiste.

Në fjalën e saj, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njëkohësisht deputete e këtij qarku tha se “PS ka mbërritur në një moment ku nuk mjafton vetëm të vrapojmë, por edhe të reflektojmë”.

Në Bashkinë e Gjirokastrës, PS është në rrugën e duhur dhe kjo është meritë e të gjithëve. PS me mendje të hapur ka arritur të gjejë ekuilibrin mes atyre që përbëjnë themelin e PS-së, por nga ana tjetër di të hapet, të komunikojë, të jetë transparente për të rinjtë. Sot duhet të përgatitemi për fitoren e radhës, jo thjesht për të rrëmbyer pushtetin por për të konsoliduar qeverisjen më progresiste që ka parë Gjirokastra dhe Shqipëria bashkë. Sot nuk jemi këtu thjesht për të gjetur kryetarin e radhës, por për të shënuar një fazë të re në PS.

Ndërsa Klosi u shpreh se “Partia Socialiste është parti fituese, sepse është një parti e dyerve të hapura”. Ndërkohë, vetë kryeministri Rama ishte dy ditë më parë në Elbasan nga ku porositi kandidatët që procesin “ta marrin e ta trajtojnë me seriozitet”.  Ky proces synon t’i japë shtysë të re drejtimit të Partisë Socialiste në të gjithë vendin.