Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, Alibeaj: “Nuk i ikim përgjegjësive!”

Lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri, për kryetarin e grupit demokrat, Enkelejd Alibeaj, “është detyrim e përgjegjësi e çdo partie politike dhe askush nuk duhet t’i ikë kësaj përgjegjësie”. Para se të hynte në sallën e Kuvendit, për të marrë pjesë në seancën plenare të radhës, Alibeaj foli për gazetarët dhe u shpreh: “Qëndrimi i grupit do të jetë pjesë e diskutimeve, duke mos i ikur përgjegjësisë. Eshtë detyrimi ynë politik dhe moral ta marrim këtë përgjegjësi”. Sipas tij, “kjo maxhorancë nuk e ka legjitimimin për ta zgjedhur Presidentin e vetme”.

E rëndësishme të diskutojmë për çështje të interesit publik dhe të interesit të Partisë Demokratike. Të rëndësishme janë ngjarjet parlamentare. Për zgjedhjen e Presidentit, ju e dini që cili është qëndrimi im personal. Qëndrimi i grupit do të jetë pjesë e diskutimeve, duke mos i ikur përgjegjësisë, por duke i marrë ato. Duam profil politik, që të jetë për shqiptarët. Eshtë detyrimi ynë politik dhe moral ta marrim këtë përgjegjësi. Eshtë një test për të gjitha palët të marrin pjesë në këtë proces. Konsultimet do të ndodhin edhe në mbledhje të grupit parlamentar, zëri i çdo deputeti do të përcillet. Kjo maxhorancë fiktive, nuk e ka legjitimimin për ta zgjedhur Presidentin e vetme, edhe pse do ta donte.

Duke vënë në dukje se “duhet të jetë presidenti i të gjithëve”, Alibeaj u shpreh kundër nxitimit në procesin e zgjedhjes.

Unë besoj që është e rëndësishme që procesi i zgjedhjes të jetë serioz, të mos ngutemi. Nuk është çështje numrash, por të jetë një proces gjithëpërfshirës. Duke pasur këto synime, pse jo të moralshme, deri diku hyjnore për të zgjedhur të parin e  vendit, ky është testi! Duhet të jetë presidenti i të gjithëve. Konsultimi është detyrim! Në bazë të kësaj dhe të asaj se çfarë deputetët do të kërkojnë, ne do të procedojmë. Testi i të gjithëve sot është të zgjedhim një president për shqiptarët!