Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, caktohet 23 maji për raundin e dytë të votimit!

Zgjedhja e presidentit të Republikës, Konferenca e Kryetarëve cakton 23 majin për raundin e dytë të votimit. Më 23 maj ora 10:00 kandidaturat shqyrtohen nga Komisioni i Ligjeve, ndërsa seanca e votimit në Kuvend u la për pasdite më 18:00, po të hënën.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla i bëri ftesë zyrtare opozitës që të mblidhen së bashku dhe të negociojnë, në mënyrë që palët të dalin me një emër për ditën e hënë. Synimi duket se është të mos digjet edhe raundi i dytë siç ndodhi me të parin. Balla tha se “me Elisa Spiropalin do t’i presë në orën 18:00”.

Kolegu demokrat, Enkelejd Alibeaj u shpreh i gatshëm, madje që pas përfundimit të Konferencës së Kryetarëve, por me kushtin, që të negociojnë në prani të gazetarëve.

Taulant Balla: Mbyllim mbledhjen, ulemi diku dhe e diskutojmë. Dhe nëse biem dakord, dalim e informojmë. Shkoni të grupi juaj dhe konsultohuni për emra.

Enkelejd Alibeaj: Doni ta diskutojmë, hajdeni tani me kamera, para gazetarëve!

Opozita i mbetet qëndrimit se propozimi për emrat duhet të vijë prej tyre, që procesi për zgjedhjen e kreut të shtetit të mos shndërrohet në fals. Por, maxhoranca vazhdon të përsërisë se Kushtetuta i jep mundësinë të dalin me propozime.

Grida Duma: Të vijmë me emër nga opozita e të enjten votojeni dhe kundër po të doni.

Taulant Balla: Të drejtën për të propozuar emra, grupit të Partisë Socialiste nuk ia heq askush.

Në cilësinë e kreut të Grupit Parlamentar “Aleanca për Ndryshim”, Fatmir Mediu dha një qëndrim të prerë duke i kërkuar opozitës që pavarësisht sjelljes së maxhorancës të japë një emër, në të kundërtën të braktisë procesin.

Të shkohet me kandidatë të propozuar nga ne ose të ndërpresim marrjen pjesë nga ky proces. Të propozohen kandidatura nga opozita, pavarësisht nga sjellja e maxhorancës.