Aktualitet Politikë

Zgjedhja e presidentit, LSI do të jetë nesër në Kuvend, për të votuar kundër!

Lëvizja Socialiste për Integrim konfirmon pjesëmarrjen në seancën e posaçme që zhvillohet nesër në Kuvend për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, në raundin e 4-rt. Nënkryetari Petrit Vasili konfirmoi pjesëmarrjen, por theksoi se “do të votojnë kundër çdo kandidati të propozuar nga Partia Socialiste”.

Deputetët e LSI-së do të marrin pjesë nesër në seancë e do të votojnë kundër, gjymtyrës, dorës që Edi Rama do të çojë në Kuvendin e Shqipërisë nëpërmjet së cilës mendon dhe ka iluzionin se mund të shesë kufijtë e Republikës së Shqipërisë. Ky pazarxhi kufijsh, që i ka filluar pazaret me kufijtë e Kosovës do t’i vazhdojë me kufijtë e Shqipërisë e së bashku me “Ballkanin e Hapur” të tij është demonstruar si një kryeministër, antishqiptar, antipatriot dhe nesër do që të shënojë një hap të ri në antishqiptarizmin mafioz të tij. Ndaj qëndrimi do të jetë i pakompromis, refuzues, kundërshtues, si qëndrim legjitim dhe që shpreh atë që populli shqiptar kërkon.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se “nesër nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e Presidentit të ri”.

Qëndrimi ynë është logjik, koherent. I kemi bërë të gjitha shërbimet ndaj Kushtetutës edhe shërbimet politike, kështu që nesër nuk ka asnjë sens që Partia Demokratike të marrë pjesë në procesin e votimit. Do të ishte një proces që thjesht dhe vetëm do të legjitimonte kapjen e një tjetër institucioni nga ana e maxhorancës, nga ana e Edi Ramës. Kështu nuk është një proces normal, të bësh sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi pas deklaratës së Alibeajt. Në një postim në rrjetet sociale, shkruan:
PD i rikthehet bojkotit të Kuvendit?! “Të kërkosh suksesin nuk do të thotë të mos bësh gabime, por të mos bësh të njëjtin gabim për herë të dytë”, apo të tretë, – pat thënë George Bernard Shaw. Bojkoti nuk sjell kurrë ndonjë përfitim, ai është thjeshtë fyerje dhe shpërfillje e delegimit të sovranitetit të zgjedhësve.

Por, kryetari demokrat Berisha bëri të ditur se do të jetë në sallë për të votuar kundër kandidaturës që vjen nga maxhoranca. “Nuk i njohim të drejtë legjitimi Ramës. Ne besojmë se do të ishte e drejtë një president i zgjedhur nga opozita. Rama do që të marrë 100% të pushtetit, njësoj si Aleksandër Lukashenko. Ne do të jemi aty dhe do të votojmë kundër”, – tha Berisha.